Shkeli ligjin nga dashuria, gjykata italiane i jep të drejtë shqiptarit që e dëboi 13 herë

1165
0

Dashuria nuk njeh moshë dhe kufij! Këtë na e vërteton 39-vjeçari shqiptar Emiliano Fejzo. I riu mban rekordin si i dëbuar 13 herë nga shteti italian dhe të gjitha këto i ka bërë për një arsye, dashurinë. I riu është bërë subjekt i lajmeve të ndryshme që prej vitit 2019, kur u ndalua për herë të fundit nga autoritetet në Sant’Ilario të Reggio Emilia-s. I riu, ka sqaruar të gjithë dramën e tij para gjykatës.

Ai është i dashuruar me Alinën, një ukrainase 57 vjeçare e cila ka leje qëndrimi në Itali. Ajo ka punuar si kujdestare shëndeti derisa ishte në gjendje ta bënte. Por Fejzo ka sqaruar se tashmë ajo është e sëmurë dhe ka nevojë për mbështetjen e tij. Të dy janë njohur shumë vite më parë sipas tij.

“U takuam në Itali rreth 20 vite më parë. Alina vuan nga një sëmundje degjenerative. Në Qershor të tri viteve më parë u detyrova të riatdhesohesha për herë të fundit. Më hipën në një avion në Milano dhe më dërguan në Shqipëri. Pas dy ditësh ajo më telefonoi dhe më tha se ishte keq. Nuk e mendova dy herë… Të nesërmen i hipa një varke dhe u ktheva në Sant’Ilario për t’i qëndruar afër”, ka thënë shqiptari para gjyqtares Cristina Beretti.

Dy muaj më vonë, karabinierët e arrestuan sërish. Më pas, Fejzo mori përsipër të rregullonte pozicionin e tij në Itali, duke arritur të merrte një leje qëndrimi dhe të jetonte me të dashurën e tij. Por aktualisht ndodhet në burg sepse u arrestua sërish pasi duhet të vuante disa dënime të grumbulluara nga gjykatat në Reggio, Parma, Bologna, Genova dhe La Spezia.

Në total 5 vjet… Vite që duhet t’i vuajë për akuzat e kthimit të paligjshëm në Itali, rezistencë ndaj zyrtarëve publikë, identitet të rremë dhe tentativë për vjedhje. Për kthimin e fundit të paligjshëm, ditën e djeshme, prokurori kërkoi një vit burg.

Avokatja mbrojtëse e shqiptarit, Sarah Dell’Açantera, solli para gjykatës certifikatat mjekësore që pohojnë problemet me partneren e tij. Dhe kërkoi pafajësinë, që në fakt u pranua dje nga gjyqtarja Beretti sepse sjellja e tij nuk përbën krim, duke pasur parasysh gjendjen e Alinës.

“Ajo është 100% invalide dhe nuk punon. Në Itali nuk ka të afërm të tjerë që mund ta ndihmojnë. Kohët e fundit u desh të shkonin zjarrfikësit pasi ajo kishte rënë nga banesa”, tha avokatja.

Sipas asaj që u bë publike, situata e saj ishte marrë përsipër nga shërbimet sociale të Sant’Ilario. Ndërkohë 39-vjeçari kërkon që të rregullohet përmes martesës.

“Fejzo gjeti punë në një kompani ndërtimi, por nuk kishte dokumente për të qëndruar në Itali. Tani do të donte të martohej për të pasur leje qëndrimi për arsye familjare. Por për këtë nevojitet aplikim për leje për martesë nga ambasada shqiptare, procedurë që zgjat 3 muaj”, ka thënë avokatja.

Ndërkohë mediat shkruajnë se nëse thyhet edhe kjo burokraci, dashuria mes shqiptarit dhe ukrainases do të fitojë mbi çdo pengesë./