Nga skenat botërore në shërbimin e pastrimit të qytetit.
Vendim Kapaj, “Mjeshtri i madh” , instrumentisti i njohur në Labëri e më tej, i vetmi në Ballkan që mund t’i bjerë fyellit me dhëmbë, me një karrierë 50 vjeçare, këtë të diel nuk e gjen duke luajtur muzikë por në kantierin e mbeturinave duke pastruar plehrat e qytetit.
Për Euronews Albania, Vendimi , 64 vjeç, tregon se bashkia Vlorë e ka punësuar në shërbimet e qytetit.
“Prapë unë nuk e neglizhoj, ka rëndësi që jam në punë edhe ushqehem. Mbaroj punën shtetërore që na takon, pastaj në pasdite bëjmë prova, kompozime të reja.”
Me modestinë e artistit të madh, Vendimi thotë se ndihet krenar të kontribuojë për pastërtinë e vendit.
“E kam për nder që edhe e nderoj qytetin tim në skenat kombëtare, ndërkombëtare por jam krenar që jam pjesëtar i pastrimit të qytetit,” – u shpreh ai.
Megjithatë ajo që e shqetëson është neglizhenca e treguar kundrejt artistëve.
Babai i katër fëmijëve, ndonëse i lënë në harresë, ka një merak për ata që e shohin.
“Mos e politizoni, unë jam fisnik mbaj qytetin pastër,” – tha artisti./ Euronews Albania