Vdekja e një 23-vjeçare që po udhëtonte me një taksi në autostradën Tiranë-Durrës, së bashku me shoferin e mjetit, ka tronditur ditën e sotme opinionin publik.
Megjithatë, hetimet e policisë mbi përplasjen që i mori jetën Elena Avdillarin, nënë e një fëmije dhe 60-vjeçarit Bujar Agalliu, kanë zbuluar të tjera të dhëna tronditëse.
Ata u goditën nga një makinë tip Benz afër Maminasit, e cila po ecte me një shpejtësi marramendëse (dyshohet 200 km/h).
Edhe pse fillimisht u raportua se në mjet ndodhej vetën drejtuesi i Benzit, Fatjon Zhaborja, policia hedh të tjera dyshime.
Për shkak të gjurmëve të gjakut të gjetura në sediljen e pasagjerit tek Benzi, dyshohet se Zhaborja nuk ka qenë i vetëm në momentin e përplasjes me taksinë.
Dardan Gjeka, 24-vjeç, nga Shkodra dyshohet të ketë qenë pasagjeri. Ai është shpallur në kërkim nga policia.
Në të vërtetë ai rezulton të jetë edhe pronari me letra i makinës Benz ML.
Sipas “Report Tv” viktima, Elena Avdillari dhe 24-vjeçari Gjeka kanë pasur njohje me njëri-tjetrin.
Sipas sistemit TIMS, ata kanë hyrë dhe dalë vazhdimisht nga Shqipëria në drejtim të Italisë në të njëjtat data.
Kjo shton dyshimet se Elena Avdillari është shoqëruar nga Dardan Gjeka në këto hyrje-dalje të konstatuara nga TIMS-i, përmes Portit të Durrësit dhe pikës së kalimit kufitar të Hanit të Hotit.