Janë zbardhur detaje të reja për 3 shtetasit e huaj që tentuan të futen me forcë në uzinën e armëve në Gramsh.
Gjatë procesit hetimor ka rezultuar se në telefonat e tyre janë gjetur fotografi dhe materiale të tjera të bazave të tjera ushtarake në Shqipëri përveç asaj të Gramshit.
Këto materiale i përkasin periudhës së gushtit të këtij viti, teksa për Prokurorinë përforcojnë dyshimet se këta 3 shtetas të jenë pjesë e një rrjeti spiunazhi që dëmtojnë interesat e vendit tonë.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se janë zbërthyer aparatet celulare të 2 rusëve dhe ukrainasit,ku kanë gjetur shkëmbime informacioni dhe komunikime të dyshimta me persona të tjerë përmes “Telegramit”.
Kujtojmë se dy shtetas rusë, 33-vjeçarja Svetlana Timofoeva, 23-vjeçari Mikhail Zorin dhe ukrainasi Fiodor Mihailoviç , janë arrestuar mbrëmjen e së shtunës pas një incidenti në uzinën ushtarake në Gramsh. Ata sulmuan me spray neuro-paralizues dy ushtarët shqiptarë që ndodheshin në uzinë.
Ndërsa në Poliçan, 4 çekë u kapën sot nga policia. Dy prej tyre ishin futur brenda tuneleve të fabrikës së armëve. Në dëshminë e tyre, shtetasit e huaj kanë thënë se janë blogerë dhe fotografonin kryesisht territore ushtarake që janë të braktisura dhe nuk përdoreshin më nga shteti.