1 milion turistë në javë, Greqia bum turistësh

146
0

Vendi po bëhet gati të presë deri në 1 milion vizitorë në javë në këtë sezon turistik. Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Turizmit, Vassilis Kikilias, i cili në një intervistë për mediat greke e ka cilësuar industrinë e turizmit një faktor kyç në rritjen ekonomike të vendit, sidomos kur po afron dimri i ardhshëm.

“Këtë vit sektori i turizmit ka treguar rolin e tij thelbësor; jo vetëm duke forcuar ekonominë kombëtare, por edhe duke ofruar një mbështetje domethënëse në rrethana shumë të vështira”, deklaroi Kikilias.

Ai ia atribuoi meritat e “performancës së jashtëzakonshme” punës së palodhur të dikasterit të tij dhe shoqatave për promovimin e turizmit helen.

Sipas ministrit, Greqia do të presë rreth 1 milion pasagjerë në javë gjatë gushtit, më shumë se në korrik, kur numri i vizitorëve arriti mbi 900 mijë në rang javor.

Kikilias tha se rajoni i Egjeut të jugut kishte kaluar tashmë nivelet e para pandemisë së vitit 2019 me mbi 20 për qind, me 17 mijë e 500 fluturime ndërkombëtare dhe mbi 3 milionë vizitorë.

Ministri shtoi se “kthimi dinamik” i turistëve nga Britania, Gjermania, vendet skandinave dhe Shtetet e Bashkuara, numri i të cilëve në qershor u rrit me 50 për qind ndaj së njëjtës periudhë të 2019-s, erdhi si pasojë edhe e më shumë fluturimeve direkte.