Ajo ende nuk e di gjëmën që i ka ndodhur, por i madh dhe i vogël është sot me nënen e re, 37-vjeçaren Evis Preka, e cila humbi tre fëmijët e mitur dhe bashkëshortin në një aksident tragjik që ndodhi mbrëmjen e së dielës së shkuar në aksin rrugor Shkodër-Velipojë.
Si pasojë e përplasjes fatale të automjetit ku udhëtonte familja Preka me një tjetër mjet, humbën jetën Edmond Preka, vajza e tij 5-vjeçare dhe i biri 9 muajsh. Dje u nda nga jeta edhe vajza 10-vjeçare e çiftit, Noemi.
Në aksident Evis Preka mbeti e plagosur, e tani gjendja e saj është jashtë rrezikut për jetën.
Por fatkeqësisht drama e kësaj familje nuk përfundon këtu.
37-vjeçarja ende nuk është në dije që ka humbur të gjithë familjen e saj në aksident.
Që ka humbur të bukurin e dheut, siç e quante ajo të birin Rajanin. I ishte për te: “Rayan Preka eshte realizimi i cdo endrre te jetes tone”. Dhe kukullat e saj, siç i thërriste zemra e kësaj nëne dy vajzat e saj.
Kush do t’i thotë Evisit që ëngjejt e saj me të cilët krenohej edhe në rrjete sociale nuk do të mund t’i ketë më në krahët e saj?
Dhimbja është e madhe, e të afërmit në rrjete sociale po kujtojnë viktimat duke ndarë imazhe nga momentet e tyre më të lumtura. Siç ka qenë edhe darka e 14 shkurtit, ku mesa duket nga fotot kjo familje fatkeqe e ka festuar e gjitha sëbashku, sikur të ishte e fundit pranë Evisës…!
Fjalët janë të tepërta, sepse dhimbja është aq e madhe sa të gjithë shqiptarët po luten që kjo nëne të gjejë forcë që të përballojë dhimbjen! /ShkodraNews