Një tërmet i tmerrshëm me magnitudë 7.1 ballë Rihter goditi Filipinet mëngjesin e së mërkurës, duke shkaktuar dëme të shumta dhe viktima.
Sipas të dhënave nga EMSC, tërmeti u regjistrua në orën 08:43 me orën lokale, 02:43 në Shqipëri, me epiqendër në Abra, verilindje të ishullit Filipine Luzon.
Tërmeti kishte thellësi prej rreth 20 km dhe epiqendrën në rajonin Cordillera, rreth 13 kilometra në jug-lindje të qytetit Dolores, në provincën e Abra, por u ndje edhe në kryeqytetin e Filipineve Manila, në më shumë se 600 km larg.
Tërmeti në fakt goditi ishullin më të populluar në vend ku ndërtesa të tëra u shembën dhe shumë të tjera u dëmtuan rëndë, tha Renato Solidum, kreu i Institutit Filipine të Vullkanologjisë dhe Sizmologjisë, citon noa.al.
Raportohet se janë 60 të plagosur, mes tyre të paktën katër të vdekur, ndërsa kërkimet vazhdojnë.
“Toka u drodh fort dhe dritat u fikën papritmas. Dolëm me nxitim nga zyra, dëgjoja britma dhe disa nga shokët e mi ishin duke qarë”, tha Michael Brillantes, një oficer sigurie në qytetin Abra të Lagangilang, afër epiqendrës.
“Ishte tërmeti më i fuqishëm që kam ndjerë dhe mendova se toka do të hapej,” tha Brillantes për Associated Press
Një djalë 25 vjeç vdiq kur u godit nga rënia e pllakave të çimentos në shtëpinë e tij në Abra, ndërsa të paktën 25 të tjerë u plagosën dhe u dërguan në spitale, thanë zyrtarët.
Një punëtor ndërtimi, djalë i ri, u godit nga rrëzimi i godinës dhe vdiq në qytetin malor La Trinidad në provincën Benguet, ku disa rrugë u mbyllën nga rrëshkitjet e dheut dhe gurët. Pesë persona u plagosën kur shkëmbinjtë dhe rrënojat goditën SUV-në e tyre dhe një kamion në një rrugë kodër në provincën malore pranë Benguet, thanë zyrtarët.
Filipinet shtrihen përgjatë “Unazës së Zjarrit”, një zonë rreth Oqeanit Paqësor, ku ndodhin shumica e tërmeteve në botë.