Paradoksi shqiptar! Shqipëria, vendi më i shtrenjtë, por me pagën mesatare më të ulët

149
0

Jetesa në Shqipëri kushton më shumë se çdo vend tjetër i Ballkanit Perëndimor, përveç Malit të Zi. Sipas Numbeo, portalit mbi të dhënat e çmimeve në botë, indeksi i kushtimit në vend përllogaritet në 33.6 për qind, duke lënë pas Serbinë, Bosnjën, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën.

“Shqipëria ka qenë gjithmonë një vend i cili nuk ka funksionuar me rregullat e një ekonomie tregu. Që do të thotë, nëse kemi një rritje të një treguesi, automatikisht do të sjellë edhe ndryshime në tregues të tjerë. Rritja e çmimeve nuk u shoqërua me rritje pagash”, thotë për A2 CNN Teuta Nunaj, eksperte për ekonominë.

Ndërkohë, paga mesatare në Shqipëri është më e ulëta në Rajon, madje edhe se Kosova. Ajo përllogaritet në rreth 468 euro, shifër kjo gati sa gjysma e asaj që paguhet mesatarisht një i punësuar në Malin e Zi. Situatë e ngjashme paraqitet edhe në pagën minimal.

“Gjyma e popullatës së punësuar ka të ardhurat minimum për jetesë. Edhe nevojat do të plotësohen në minimumin jetik. Dhe duke qenë një numër kaq shumë i madh popullate me të ardhura minimale edhe shpenzimet e tyre do të fokusohen tek elementi bazë për ekzistencën, që është ushqimi”, thotë Nunaj.

E ndërkohë që shtrenjtimi i çmimeve vijon, pjesa më e brishtë e qytetarëve shqiptarë, pensionistët dhe ata që trajtohen me ndihmë ekonomike do duhet të presin vjeshtën për të parë nëse qeveria do të akordojë një tjetër paketë ndihme për të përballuar jetesën.