Ikin shqiptarët, vijnë të huajt, mbi 5 mijë leje pune ne 2021. Kryesojnë emigrantet nga..

632
0

Shqipëria po josh të huajt. Synimet për të zëvendësuar fuqinë punëtore nga vendet e tjera duket se po japin rezultat. Sipas të dhënave nga Agjencia e Punësimit dhe Aftësive, vitin e shkuar u pajisën me leje pune më shumë se 5 mijë shtetas të huaj, shifër kjo ndjeshëm më e lartë se në vitet paraardhëse.

Italianët, qytetarët nga Kosova, Britania e Madhe dhe Rumania janë edhe ata që po tregojnë më shumë interes për t’u punësuar në vend.

Angelo, një i ri italian është një prej tyre.

“Ka ca kohë që kam ardhur këtu në Shqipëri, Tiranë. Gjendem sot te zyrat e punës për t’u pajisur me lejen e nevojshme. Unë jam i formuar në fushën e zhvillimit të web-faqeve. Ka pak burokraci këtu, por gjenden mënyra për t’i zgjidhur”.

Planet e tij për të jetuar e punuar në Shqipëri janë afatgjata.

“Në sipërmarrjen e sapongritur në fushën e teknologjisë së informacionit jemi 5 shtetas italianë. Si start-up që u nis mendoj se kemi ecur mirë. Planifikojmë ta zgjerojmë në të ardhmen.”

Rritja e interesit nga të huajt për t’u punësuar në vend sipas ekspertëve lidhet me situatën që ekonomia po kalon.

Emigracioni është gjithashtu një tjetër arsye.

Pjesa më e madhe e të huajve të pajisur me leje sipas të dhënave nga Agjencia e Punësimit dhe Aftësive rezulton të jetë punësuar në ndërtim, ndjekur nga sektorët e tregtisë dhe arsimit.