Nga Daniel Muçaku
Historia e Bertit nga Elbasani është pak e pazakontë, për ne qe nuk e kemi provuar emigracionin, por jo për ata që i njohin tmerret e udhëtimi nga Shqipëria në Angli , fshehtas, frikshëm. Berti ka zgjedhur Dritare.net për të treguar rrugëtimin e vdekjes,prej kilometrash, ku në çdo sekondë jeta i rrezikohej. Vetëm një automjet mund të shkojë në “tokën e premtuar” edhe ai quhet “kamioni i fatit”. Quhet kështu sepse është fati i cili vendos nëse ti, do të kalosh apo jo në token angleze.
Dritare.net sjell historinë e 27-vjeçarit shqiptar, i cili prezantohet me emrin e ndërruar si Xhoni.
Për 27-vjeçarin historia e tentativës për të hyrë në këtë shtet ka qenë torturë e vërtetë. Ai tregon se para dy vitesh, në 2016, së bashku me disa shokë kishin mundur të hynin në Britani duke udhëtuar me kamion. Ja si shprehet ai per dritare.net, duke treguar historinë që nga fillimi:
“Familja ime ishte e varfër jemi katër fëmijë, të gjithë kërkonin për të ngrënë edhe për të pirë. Babai im është i sëmur, mamaja po ashtu, vëllai edhe motrat kërkonin kushte. E vetmja mënyrë ishte të shkoja diku, në një vend ku të mund të punoja edhe të mbaja në këmbë familjen time që dita ditës, po u mbaronin ushqimet. Mora një vendim. Të nesërmen fola me disa shokë që të iknim. Kisha kursyer disa lekë mënjanë, disa të tjera i mora tek xhaxhai im. Duheshin mbi 7000£ që duhet t’i dorëzoja një zotërie që kurrë se kisha parë në jetën time. Ishim pothuajse 3 veta, mirëpo duhet të bëheshim patjetër 6 persona për t’u nisur drejt Anglisë. U nisëm edhe ndaluam në Francë, paguam 100 euro për një natë. Nëse fati do të na braktiste, për të mos gjendur kamion e duhur do të na mbaronin lekët edhe do të flinim përjashta, pasi të flije në hotel ishte e pamundur. Më pas u përpoqa të kaloj çdo ditë, përgjatë 1 jave të frikshme dimri, edhe netëve të ftohta, mirëpo nuk po gjeja një mënyrë. Kur një natë njeriu që na mori lekët na urdhëroi të hipnin në një kamion, sepse sipas tij ishte bashkëpunëtori. Hipëm në të, por ai kamion ishte frigoriferik.
Ishin disa pako por nuk e di çfare kishte, ishte një erë e çuditshme. Gjatë udhëtimit të gjatë, ishte një moment ku shoferi i kamionit ndezi frigoriferin, ishim 5 vetë. Nuk po duronim më, e ndieja që po ngrija. Po mundohesha të rezistoja, me sa fuqi kisha, as shokët e mi nuk po ndiheshin . U tremba, lëviza disi edhe u fola nëse ishin gjallë. U bashkuam të pestë dhe përqafuam njëri-tjetrit për të mos ngrirë. Po godisnim kamionin mesa fuqi kishim për ti dhënë një shenjë që ai të ndalonte por ishte e kotë. Nuk kisha fuqi të flisja, po mendoja për familjen që nuk ja dola dot. Ishe zoti ai që vuri dore dhe kamioni ndaloi edhe frigoriferi pushoi së punuari. Shpëtuam, ishim të ngrirë, doja të qaja nga dhimbjet, por isha bërë dru.
Pas një udhëtimi disa orësh mbërritëm, e kuptuam të paktën se kishim disa orë që kishim ndaluar. Zbritëm dhe u larguam nga sytë këmbët, falë zotit kishim një djalë që kuptonte edhe fliste anglisht. Kur pyetëm dikë, ku jemi këtu, ai u përgjigj me një buzëqeshje dhe tha: “ Në Angli ku tjetër”.
Kishim një kontakt me një shokun tim të ngushtë, e lajmërova se ku ndodhesha edhe ai më mori në shtëpinë e vet.
Historia e Bertit është një nga ato të paktat histori të suksesshme, ai punon në një firmë ndërtimi ku sipas tij ka fitime të konsiderueshme. Ai është i martuar me një angleze, ku pret edhe një fëmijë me të. Jetojnë të dy në një shtëpi me qira. Për sa i përket dokumentacionit ai u shpreh se për pak muaj do të pajiset me pasaportën angleze ku do të ketë mundësinë të vizitojë familjen që e pret në Elbasan. Pavarësisht të gjithave, pas një udhëtimi të lodhshëm edhe të rrezikshëm, ai triumfoi duke arritur gjërat më kryesore në jetë, të krijojë një familje, të ketë të ardhura por ajo më e rëndësishmja u bë krah për familjen e cila vuante për bukën e gojës. Fuqia e fatit është e njohur vetëm nga dështimet, pra nuk ka mjerim më të madh se sa të jesh i kënaqur me pak, jeta bëhet më e bukur nëse ti e dëshiron atë të tillë./d.m-dritare.net