Lajme pesimiste për ekonominë dhe qytetarët shqiptarë.
Lufta në Ukrainë do të frenojë rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë në Shqipëri, për shkak se çmimet e larta do të ulin konsumin dhe do të rrisin kostot për bizneset.
Ky është vlerësimi i bërë nga Banka Botërore në raportin e Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor, “Manovrim mes krizash” që u publikua ditën e sotme.
Banka parashikon se sipas skenarit bazë, rritja ekonomike e Shqipërisë pritet të ngadalësohet në 3.2 për qind në vitin 2022. Kjo mbështetet në supozimin se faza më kritike e krizës do të arrijë të zbutet në tremujorin e dytë të 2022, edhe nëse efektet e sanksioneve vazhdojnë gjatë gjithë vitit 2022, madje edhe në vitin 2023.
Megjithatë, kriza në Ukrainë, në rast se zgjat, mund të ndikojë në ekonominë shqiptare nëpërmjet disa kanaleve të transmetimit.
Çmimet e larta të mallrave, veçanërisht të naftës dhe drithërave, pritet të jenë kanali kryesor i transmetimit të goditjeve.
Rusia dhe Ukraina janë prodhues dhe eksportues shumë të rëndësishëm të disa mallrave, të cilat janë me rëndësi jetike për shqiptarët, përfshirë drithërat.
Çmimet e larta të energjisë pritet të çojnë në rritje të çmimeve të transportit dhe të shkaktojnë rritje të mëtejshme të çmimeve tek mallrat e tjerë të shportës së konsumit.