Historia e dy të rinjve shqiptarë, nga call center në burgun suedez; Aty na pyesnin: Pse të gjithë ikni nga Shqipëria, një vend kaq i bukur?

53793
0

Nga Lluiza Pinderi

Qindra të rinj zbrazin çdo vit Shqipërinë. Largohen drejt Evropës, apo kudo qoftë, në kërkim të një jetë më të mirë se në vendin e tyre. Por ajo që gjejnë, jo gjithmonë është më e mira. Në disa raste shohin tmerrin me sy, nuk ia dalin dot, përplasen në shumë mure, e pak të tjerë me shumë fat mund të buzëqeshin të lirë. Dritare.net do ju sjellë një histori ndryshe, të dy të rinjve që kërkuan parajsën, por gjetën purgatorin.

Eriola dhe i fejuari i saj sapo kishin përfunduar studimet për matematikë, në Fakultetin e Shkencave. Puna në call center ua kishte marrë shpirtin dhe jetesa në Tiranë ishte pothuajse e papërballueshme. Kështu që menduan si zgjidhje largimin drejt Anglisë,  ku kishin të afërmit e tyre.

“Ishim me qera. Na duhej një shtëpi për familjen tonë. Të ardhurat ishin të pakta. Një i afërmi ynë në Angli na premtoi se do të na ndihmonte me punë dhe shtëpi, nëse ne siguronim dokumentet. Kështu qe filluam të interesoheshim, se si të gjenim një mënyrë, me më pak shpenzime. Na thanë që një mënyrë e mundshme ishte sigurimi i identitetit të një vendi tjetër, që e kishin bërë shumë shqiptarë. Kështu që vendosëm të provonim shansin. Një shok në call center na gjeti një person që bënte dokumente fallco. Paguam 500 euro për person dhe pritëm që të merrnim identitetin e ri dhe nënshtetësinë italiane”.

Eriola tregon se u larguan drejt Italisë, si shqiptarë dhe aty pritën pasaportat e reja. Personi që i ndihmoi me dokumentet, iu kishte thënë se rruga më e mirë për të shkuar në Angli, ishte që si fillim të shkonin në një vend tjetër të BE. Sipas tij, Suedia ishte një vend i mirë tranzit.

“Udhëtuam  dy orë me avion në Gothenburg, një qytet në Suedi. Qëndruam në një hotel dhe më pas kërkuam një agjenci për të blerë bileta. Gjetëm një agjenci që pranonte para në dorë, pasi të gjitha agjencitë pranonin vetëm kartë krediti. Pas disa pyetjeve të thjeshta, se pse dy italianëve si ne, iu pëlqente Anglia, siguruam biletat tona dhe mezi po prisnim të niseshim”.

Epo kjo nuk ishte aspak  e lehtë. Suedia nuk u tregua aspak e mëshirshme, teksa shkërmoqi mijëra iluzione, mendime, çaste lumturie. Eriola dhe i fejuari i saj Altini, u zbuluan në aeroport. Pas disa pyetjeve rutinë, për emrat, qëllimin e vizitës, qyteti që do të vizitohej, sportelisti i aeroportit iu bëri një kontroll të imtësishëm edhe pasaportave italiane. Dhe ja ku drita jeshile, u bë më e bardhë dhe nxori të vërtetën në dritë.

“Ai zbuloi në sistem se identiteti im ishte i vjedhur. Mesa duket, ishte denoncuar në polici nga personi përkatës. Në ato momente kur ai u largua drejt një zyre, po dridhesha nga frika. Pastaj na zbuluan pasaportat shqiptare, pavarësisht se i kishim futur brenda materialit të çantës. Na çuan në një godinë më vete, ku kishte policë. Na futën në dhoma të ndryshme. Prej aty, na dërguan në rajonin  e policisë”.

Të prekësh për herë të parë qelinë

Për 25 vjeçaren nga Shqipëria, ky ishte momenti më i vështirë i jetës. Njeriu që s’kishte guxuar kurrë të thoshte edhe një fjalë të keqe, tashmë po shkonte drejt hekurave për mashtrim.

“Kur më thanë se do të shkonim në rajon u preva fare. Vetëm qaja, ndjehesha si një kriminele. Më kalonin nëpër mend të gjithë filmat që kisha parë. Mendoja se çfarë do të më ndodhte në paraburgim, ku kishte shumë njerëz, ku të dhunonin, të vrisnin”.

Pas mbërritjes në rajonin e Policisë, fotografimit dhe procedurave të tjera, ata iu nënshtruan një testi psikologjik, për të kuptuar gjendjen e tyre. “Përveç pyetjeve nëse kishte qenë në burg më parë, kishte edhe pyetje të tipit: “A mendon të bësh vetëvrasje”, apo “A thua pse më ndodhi mua kjo”. Dhe kjo nuk ishte një pyetje rutinë. Ishte një pyetje me rëndësi për të kuptuar kufijtë e çdo personi.

“Siguria ishte absolute, dyer të rënda e të blinduara. Asnjë derë nuk hapej pa kod. Më futën në një qeli vetëm. Dritaret ishin me dy palë hekura dhe me një xham shumë të trashë, të pathyeshëm. Mobiliet ishin me një material të butë. Ishte shumë ngrohtë brenda, pavarësisht se jashtë ishte dhjetor dhe shumë ftohtë. Për të ngrënë të sillnin çdo vakt, por unë s’mundesha. Vetëm qaja me të madhe. Qava aq shumë sa u detyrova t’i bija sërish ziles e të kërkoja ilaçe. Deri sa më kaploi gjumi, vërtitesha në dhomë e lexoja shkrimet nëpër mure. Kishte pasur edhe shqiptarë para meje, e shumë fjalë të tjera të huaja, ishin dëshmi të atyre që kishin pasur të njëjtin fat si unë”.

Për një njeri që hyn në burg, është njëlloj si një fund. Është në njëfarë mënyre si një vdekje, sepse realisht të ikën liria. Eriola tregon se nuk e kishte konceptin e kohës për asnjë gjë, nuk e dinte se ku ishte i fejuari i saj dhe askush nuk i kthente përgjigje, ndërsa mendimi i vetëm në kokë ishte për mamin. Si do të ndjehej ajo tani, që bija e saj ndodhej në burg?

“Aty mendon shpesh për familjen, për dhimbjen që mund t’iu shkaktosh. Nuk mendon aq shumë për veten. Aq më tepër që nuk e dija çfarë do të ndodhte me mua. Kur më pyetën nëse doja të ecja, gati sa nuk po fluturoja. Ndjesia e lirisë më bëri me krahë. Vetëm me instruksionet e tyre, përfundova në një dhomë ajrosjeje dhe u riktheva sërish në kafazin tim”.

Eriola tregon se përveç sigurisë së lartë, përdorimit të teknologjisë, kushteve të mira, kishte edhe përkujdesje njerëzore. Madje për ta, të burgosurit ishin si rast studimi. Çdo herë që sillnin ushqimin, vinin disa persona, ku të gjithë mbanin shënime, secili për fushën e vet: sjelljen, reagimin, ngrënien e ushqimit. Pas dy ditësh, Eriola tregon se u morën në pyetje nga një avokat, për veprën  tyre, nëse e dinin që ishte ilegale apo jo, nëse e pranonin gabimin, nëse ishin penduar etj.

“Më pyeti pse të gjithë shqiptarët largohen nga vendi i tyre. Unë iu përgjigja se për shkak të kushteve ekonomike. E pastaj vazhdoi:“Kam miq që vijnë për pushime në Shqipëri dhe thonë se është vendi i bukur. Kam dëgjuar se shqiptarët janë njerëz të mirë, por  kanë qeveritarë të këqij dhe të korruptuar”. U mundova t’ia sqaroj se çfarë ndodhte realisht në vendin tonë”.

Ndalesa e fundit në Zyrën e Emigracionit

Përballë një vepre të tillë, askush nuk mund ta mbyllte syrin, aq më tepër një suedez, që më të shtrenjtë kishte  ligjin sesa jetën. Eriola tregon se suedezët ishin njerëz shumë të komunikueshëm, të sjellshëm, të mbështesnin, por kur vinte puna te qëndrimi, thoshin se nuk dilnin dot mbi ligjet.

Kështu që dy të rinjtë u dërguan në Zyrën e Emigracionit, u dënuan me 200 euro, për të paguar secili dhe iu ndalua për 2 vjet lëvizja e lirë në BE.

“Te zyra e emigracionit ishin gjithë emigrantët e paligjshëm. Kishte nga vende të ndryshme të botës, shqiptarë, indianë. Na sistemuan në një godinë të madhe njëkatëshe, me ambiente të përbashkëta për ngrënie, palestër, sallë interneti. Po ashtu kishim edhe një dhomë personale, por që s’mund ta mbyllnim kurrë me çelës. Ishte e ndaluar. Madje punonjësit e stafit, çdo një orë kontrollonin dhomat, për të parë se çfarë ndodhte. Vetëm dy orë mund të dilje në oborrin e rrethuar me mur për ajrim, e pastaj gjatë gjithë kohës brenda”.

Pavarësisht se të rinjtë tentuan sërish të provonin fatin e tyre, duke aplikuar për azil ekonomik, nuk ia dolën.

“Nuk pranuan, duke na thënë se Shqipëria është një vend i sigurt, se ishte rritur numri i policisë. Madje sipas tyre kishte të dhëna që vendi ynë ishte në rritje ekonomike dhe se ne mund t’ia dalim mirë këtu. Kështu që na kthyen sërish në atdhe”.

Me siguri do të mendoni, që një njeri që ka dështuar, nuk do të tentojë sërish, apo se ia ka kuptuar vlerat e vendit që ka. Pavarësisht kësaj, dëshira për ikje, nuk zbehet kollaj. Për Eriolën, asgjë nuk është si më parë. Nuk është në çift, nuk ka të njëjtën punë. Por, ka të njëjtën dëshirë, largimin.

“Nuk do ta bëja sërish të njëjtën zgjedhje, sepse nuk dua të përfundoj në burg. Dua të gjej një mënyrë e të largohem në bazë të rregullave. Por ama dua të iki nga ky vend. Një orë e më parë”./Dritare.net

PS: Eriola nuk është emri i vërtetë i vajzës. Redaksia respektoi dëshirën e saj për të ruajtur anonimitetin.Dritare.net