E fundit/ Italia dhe Shqipëria firmosin mareveshjen e rendesishme, perfitojne mijera emigrante shqiptare

1848
0

Italia dhe Shqipëria po hartojnë ligjin për shtetësinë e fëmijëve të emigrantëve. Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla priti presidentin e Dhomës së Deputetëve të Italisë, Roberto Fico, i cili me ftesë të kryetares së Kuvendit po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri.

“Dy vendet tona i lidh një miqësi e hershme dhe e fortë. Italia ka qenë një mike e vyer e Shqipërisë në kohë të mira, por veçanërisht në kohë të vështira. Për gjysmë shekulli, Italia ka qenë dritarja prej së cilës shqiptarët shihnin Evropën dhe demokracinë. Ne i jemi mirënjohës Italisë, si avokatja e integrimit evropian të Shqipërisë. Dhoma e Deputetëve është nxitëse e kësaj avokatie.

Arbëreshët dhe emigrantët, janë ura të fuqishme miqësie e bashkëpunimi. Vlerësoj nismën e parlamentit italian për fillimin e negocimit të marrëveshjes për sigurimet shoqërore. Vlerësoj bashkëpunimin në fushën e arsimit dhe universiteteve dhe ruajtjen e zhvillimin e gjuhës e kulturës shqiptare në Itali. Marrëveshja që po nënshkruajmë sot do të intensifikojë bashkëpunimin parlamentar si nxitës i marrëdhënieve midis të dy vendeve.”, u shpreh Kryetarja e Kuvendit.

Nga ana tjetër presidenti i Dhomës së Deputetëve të Italisë, Roberto Fico, falenderoi Kryetaren Nikolla për pritjen dhe vuri në dukje se midis Shqipërisë dhe Italisë ekziston një bashkëpunim i ngushtë, miqësor e vëllazëror shumëplanësh.

Marrëveshja e Bashkëpunimit mes dy parlamenteve do të jetë një instrument që do të nxisë jo vetëm bashkëpunimin parlamentar, por edhe marrëdhëniet mes dy vendeve.

Grupi i përbashkët për zbatimin e Marrëveshjes do të fillojë menjëherë nga puna.

Presidenti Fico bëri me dije se Dhoma e Deputetëve po punon për hartimin e legjislacionit për dhënien e shtetësisë fëmijëve të emigrantëve në Itali, pas përfundimit të ciklit të shkollimit.

Kryetarja Nikolla dhe Presidenti Fico vlerësuan bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy vendeve në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, gjatë kryesimit nga Shqipëria të OSBE-së në vitin 2020 si edhe në kuadër të Këshillit të Evropës, ku Italia aktualisht kryeson Komitetin e Ministrave.

Nikolla dhe Fico theksuan gjithashtu se të dy vendet kanë dënuar agresionin e paligjshëm, të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Rusisë ndaj Ukrainës dhe nënvizuan se Shqipëria dhe Italia janë kontribuese të miqësisë, paqes, sigurisë e stabilitetit dhe kundërshtare të papajtueshme të agresioneve ushtarake dhe dhunës që shkelin sovranitetin e tërësinë territoriale të vendeve sovrane dhe synojnë të robërojnë popujt dhe vendet e tjera.