30 euro në ditë për çdo refugjat ukrainas që do të futet në shtëpi

222
0

428 milionë euro është fondi që qeveria italiane ka lëvruar për mikpritjen e refugjatëve ukrainas, të cilit do t’i shtohet dhe fondi Bashkimit Europian për për çdo vend anëtar në përballimin e krizës humanitare nga Ukraina.

Deri më sot janë gati 72 mijë refugjatë ukrainas të mbërritur në Itali, 28 mijë prej tyre janë fëmijë, 300 minorenë të vetëm pa prindër e 37 mijë gra.

Janë rreth 60 mijë familje italiane që kanë strehuar në banesat e tyre qytetarë ukrainas e pjesa e tjetër është sistemuar në mënyrë individuale apo në kampet e emigrantëve në rajone e qytete të ndryshme italiane.

Plani i qeverisë Draghi parashikon një kontribut ekonomik nga 25 deri në 30 euro në ditë, për cdo qytetarë ukrainas të strehuar në familjet italiane, para që do të shërbejnë për të mbuluar shpenzimet ditore e kostot shtesë në faturat e gazit e energjisë.

Ndërsa për ata qytetarë ukrainas që kanë vendosur të strehohen në mënyrë individuale në territorin italian, duke marrë me qira një banesë apo duke u mikpritur tek të afërmit, qeveria ka parashikuar t’i jap një kontribut nga 500 deri në 600 euro për tre muaj rresht.

Një vëmendje e veçantë në këndvështrimin administrativ e ligjor po i kushtohet fëmijëve minorenë ukrainas e 300 prej tyre që kanë mbërritur të vetëm duke iu besuar nga familjarët, miqve e të afërmeve që janë larguar nga Ukraina.

Për këta fëmijë do të përcaktohet një tutor ligjor e nuk mund të adoptohen e as tu jepen në birësim të përkohshëm familjeve. 

Kujdesja ndaj tyre do të jetë përgjegjësi e shoqatave humanitare që përcjellin shqetësimin së bashku me institucionet, se një situatë e tillë mund të sjell riskun e një trafiku minorenësh nga Ukraina.

Kriza e refugjatëve ukrainas në Itali po menaxhohet nga Departamenti i Mbrojtjes Civile, i cili po harton një urdhëresë institucionale mbi detajet e mikpritjes administrative e financiare në komunat, shoqata e familje italiane.