Iliri zbulon se ç’do të bëjë me gjysmën e parave qe fitoi: Ka qenë ëndrra ime dikur..

240
0

Gjatë një interviste për emisionin “Open”, Ilir Shaqiri tregoi se çfarë do të bëjë me çmimin e madh të fituar në Big Brother VIP. Ai konfirmoi se kur ka firmosur formularin para se të hynte në shtëpinë e BBV, ai deklaroi se 50% të shumës do ta jepte për bamirësi. Ndërsa tani i ka idetë e qarta dhe se shuma për bamirësi do t’i kalojë fondacionit Dritan Hoxha.

“E pata deklaruar në formularin që plotësuam më 2 tetor, që 50% do ta çoja në bamirësi, pa e përcaktuar se ku do të shkonin dhe çfarë bamirësie. Ky ishte mendimi që më vlonte në kokë gjatë gjithë këtyre 4 muajve në shtëpi. Dhe kur Einxhelit i është dhënë mundësia të ketë programin e saj, aq të ëndërruar, në atë moment kam marrë vesh që ekziston një fondacion që quhet Dritan Hoxha.

Mendova se nuk do të kishte gjë më të bukur sesa t’i jap bukë shpirtit të atyre që mund të jenë yjet e së ardhmes në Shqipëri ose në botë. Ka njerëz që preferojnë të bëjnë bamirësi në mënyra të tjera. Unë preferova ta bëja në atë që ka qenë edhe ëndrra ime – të kisha dikur një bursë studimi falas për të zhvilluar talentin”, -rrëfeu Iliri.

Sa i përket vendit ku do të jetojë tani, ai tha se ëndrra e tij është të jetojë në Shqipëri dhe të bëjë këtu gjëra me vlerë. Iliri nuk rrëfeu shumë, por zbuloi se është në bisedime për një projekt bashkë me Fondacionin Dritan Hoxha dhe shpreson të realizohet. Madje, ai shtoi se sot ka marrë një lajm të bukur, por do ta ndajë me publikun në një moment tjetër.