Në “vorbullën” e pandemisë së Covid-19 ndodhet edhe Rumania, me rastet e infektimeve në rritje të vazhdueshme dhe spitalet në kolaps, ndërkohë që vendi renditet në fund të listës për sa i përket mbulimit me vaksinim në Bashkimin Evropian.
Më 2 nëntor, 591 persona humbën jetën nga koronavirusi, ndërsa në përgjithësi numri mesatar i vdekjeve në ditë është afër 500.
Të dhënat nga Qendrat Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (ECDC) rendisin Bullgarinë në fund të listës për sa i përket mbulimit vaksinal me 23.8% të popllsisë me të paktën një dozë, e ndjekur nga Rumania me 36.5%.
Me nivelet e ulëta të vaksinimit dhe mungesën e personelit mjekësor dhe infrastrukturës, Rumania numëron qindra të vdekur çdo ditë.
Tronditëse janë pamjet që vijnë nga qyteti i Buzaut, në veri të Bukureshtit në skajin juglindor të vendit ku spitalet janë mbushur aq shumë sa mjekët kanë arritur në atë pikë, të lënë pacientët në makina, për ti dhënë atyre oksigjen.
“Ka shumë presion, janë dy infermiere për 70 pacientë”, tha një i afërm i një pacienti në rrjetin rumun Stirile Pro TV.
Mjekët përshkruajnë një pamje dramatike, duke thënë se shumë nga pacientët me Covid në parking janë të pa-vaksinuar dhe mbërrijnë në spital shumë vonë, edhe një javë pas simptomave të para.
Disa prej tyre kanë vetëm 50% ngopje me oksigjen dhe mushkëritë e tyre janë dëmtuar rëndë.