“Do shpërndajmë 1050 shtëpi per..”, Ahmetaj zbulon vendimin e qeverisë

115
0

Zv. kryeministri Arben Ahmetaj, ka zbuluar vendimin e qeverisë për Rindërtimin, ku në dy vjetorin e tërmetit do të shpërndahen 1050 shtëpi. Ahmetaj ka hedhur dritë mbi vendimet e marra në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave.

Ai deklaroi se gjatë muajit nëntor, do të fillojë shpërndarja e banesave për qytetarët e prekur nga tërmeti, ku vetëm më 25-26 nëntor do të jepen 1050 shtëpi. Ahmetaj sqaron se përzgjedhja e shtëpive do të bëhet sipas një liste të familjeve në nevojë, ndërkohë që pjesa tjetër do të bëhet me short nga Bashkitë. Procesi i shpërndarjes, sipas zv. kryeministrit do të përmbyllet në shtator të vitit të ardhshëm.

“Si zakonisht do vijojmë të informojmë qytetarët për vendimet e Këshillit të Ministrave. Unë dua të informoj në lidhje me një vendim të rëndësishëm që lidhet me procesin e Rindërtimit. Sapo filloi kalimi i shkollave në pronësi të Bashkive. Sapo kemi miratuar që një numër i madh shkollash të ndërtuara nga Rindërtimi, t’i kalojnë qytetarëve, fëmijëve dhe Bashkive për tu menaxhuar.

E dyta, ky muaj është shumë i rëndësishëm për familjet e dëmtuara. Ne kemi vendosur të kalojmë në pronësi të plotë të familjeve të dëmtuara shumë njësi individuale dhe apartamente. Pyetja është si do të bëhet shpërndarja. Fillimisht do të ketë një listë, ku trajtohen familjet me ndihmë ekonomike. Është një kategori që ne e kemi cilësuar si më emergjenten.

Për pjesën tjetër, shpërndarja do të bëhet me short publik. Është detyrim i Bashkive që të fillojnë shortet publike transparente, për të shpërndarë apartamentet apo njësitë individuale. Gjatë muajit nëntor në datën 25 dhe 26 nëntor, do të shpërndahen 1050 apartamente dhe njësi individuale. Është një lajm i mirë për familjet, ato do të futen në shtëpitë e reja. Do ta vazhdojmë procesin e shpërndarjes së apartamenteve dhe njësive individuale edhe në muajin dhjetor dhe gjatë gjithë muajve të vitit tjetër deri në shtator”, tha Ahmetaj.