Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Arsimit në Shqipëri, do të ndalojnë reklamimin dhe tregtimin e disa lloje ushqimesh në ambientet e shkollave në vend. Referuar një urdhri të fundit, në shkolla nuk do lejohet të shiten ëmbëlsira, ushqime të skuqura dhe ato me yndyrë të shtuar, si dhe pije freskuese me sheqer.
Synimi i këtij urdhri është lufta kundër kequshqyerjes dhe mbrojtja e nxënësve të moshave nga 6-15 vjeç, prej materialeve të dëmshme për ta. Gjithashtu, synohet të përmirësohet legjislacioni për mbrojtjen e të miturve nga përdorimi i alkoolit, pijeve energjike dhe pijeve të gazuara që përmbajnë sheqer të shtuar.
LISTA E USHQIMEVE TË PASHËNDETSHME QË NDALOHEN NË MJEDISET E INSTITUCIONEVE ARSIMORE
1. Ëmbëlsira: -çokollatë dhe produkte çokollate (çokollatë e thjeshtë ose e bardhë, vezë të mbushura me çokollatë, çokokrem); -produkte të veshura me çokollatë (p.sh.: biskota pjesërisht ose plotësisht të veshura, fruta ose arra të veshura me çokollatë, akullore dhe drithëra të veshura me çokollatë);-ëmbëlsirë, përfshirë ëmbëlsirat “pa sheqer” (p.sh.:çamçakëz, xhelatina, likuiricia, karamele të çdo lloji përfshirë: menta, lëpirëse sheqeri, ëmbëlsira me sherbet, marshmalloës, dhe ëmbëlsira të tjera);-çokollatë, kos ose fruta të thata dhe arra të veshura me sheqer; -bareta drithërash, ëmbëlsira me fruta të përpunuara.
2. Ushqime të skuqura ku përfshirë produktet e skuqura thellë në procesin e prodhimit. Kjo përfshin për shembull: patatina, salsiçe të skuqura, kofshë pule të skuqura, petulla etj.
3. Ushqime të aromatizuara (savoury snacks): Ushqime të aromatizuara me përmbajtje yndyre, yndyre të ngopur, natriumi dhe sheqeri mbi kriteret e mëposhtme:
-madhësi paketimi të barabartë ose më të madhe se 25 g;
-22g ose më shumë yndyrë për 100g;
-2g ose më shumë yndyrë të ngopur për 100g;
-0.6g ose më shumë natrium për 100g;
-3g sheqer ose më shumë në total për 100g;
4. Pijet freskuese (me ose pa gaz),duke përfshirë ujëra me aromë;
-pijet e cilësuar si “pa sheqer” (me ose pa gaz) përfshirë ujërat me aromë;
-pije të gazuara që përmbajnë sheqer të shtuar;
-lëngjet e frutave të ëmbëltuara me sheqer të shtuar;
-lëngjet e perimeve me sheqer ose kripë të shtuar;
-lëngje të ëmbla të koncentruara, të bëra ose të aromatizuara me lëngje frutash, të cilat hollohen për të bërë një pije;
-qumësht i plotë;
-pijet energjike.
LISTA E USHQIMEVE TË LEJUARA NË MJEDISET E INSTITUCIONEVE ARSIMORE
-fruta të freskëta (frutë i plotë ose në pjesë);
-fruta të konservuara në lëng natyral;
-perime të papërpunuara.