“Ora News”, zbulon dengun e eurove të sekuestruara nga policia dhe prokuroria e Vlorës, në banesën e ish-drejtuesit të Hipotekës, Klodian Troci.
Fotoja tregon sasinë prej 50 mijë euro e cila përbëhet nga 100 kartëmonedha 500 euro, të cilat u gjetën në shtëpinë e ish-zyrtarit, i cili u arrestua në Tiranë, falë një hetimi të kryer nga prokuroria e Vlorës.
Veç kësaj shume eurosh, oficerët e policisë kanë sekuestruar dhe një pako tjetër me vlerë prej 15 mijë euro.
Sipas fotografisë së siguruar nga “Ora News”, paratë janë me shiritin bankar të bankës “Credins”, ndërsa rezulton të jenë tërhequr nga kjo bankë në datën 23 shtator 2021.
Dy ditë më parë, Gjykata e Vlorës vendosi izolimin në burg për ish-kreun e Kadastrës Klodian Troci, i akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, kryer në bashkëpunim.
Po ashtu Gjykata, mbajti në burg edhe drejtorin e drejtorisë së Administrimit të Tokës në Vlorë, Bardhyl Gjika, i arrestuar për falsifikim dokumentesh për tjetërsim prone në bregdetin e Dhërmiu.
Në qeli mbeti përfituesi i abuzimit 51-vjeçari Spiro Duni, ndërsa një specialist i Zyrës së Administrimit të Tokës në Vlorë, Kreshnik Mino, do të hetohet në gjendje të lirë.