‘Nuk i shpetoni dot’ Vjen në Shqipëri super pajisja që kap çdo shkelje në rrugë. Gjoba iu vjen në shtëpi

282
0

Në akset rrugore shqiptare do të vendosen pajisje inteligjente, të cilat monitorojnë 24/7 lëvizjen e mjeteve në rrugë, duke regjistruar shpejtësinë, targën e mjetit dhe zbatimin e rregullave të tjera, si vendosjen e rripit të sigurisë, apo përdorimin e celularit në timon etj.

Bledi Çuçi ndoqi nga afër funksionimin e kësaj pajisjeje inteligjente, prodhim gjerman, në një nga segmentet rrugore që lidh Tiranën me Elbasanin dhe me këtë rast u bëri një apel përdoruesve të mjeteve të zbatojnë rigorozisht rregullat e qarkullimit, pas kjo pajisje “nuk njeh mik!”

“Kjo pajisje është në fakt teknologjia e fundit që përdoret sot në vendet perëndimore, pajisje që kap në mënyrë të pandërprerë të gjitha shkeljet që ndodhin në një segment rrugor të caktuar në 4-6 korsitë, nëse do të kemi rrugë me 6 korsi. Është një pajisje që punon në mënyrë të pavarur, ditën dhe natën, që nuk ka asnjë ndikim njerëzor apo subjektiv të gjykimit të shkeljes. Në mënyrë automatike e regjistron shkeljen dhe e çon në kohë reale në qendrën e përpunimit që ndodhet në Drejtorinë e Policisë Rrugore. Është një pajisje e cila mund të lëvizë lehtësisht në të gjitha segmentet rrugore”, tha Çuçi.

Sipas tij vetëm gjatë një ore që ka qenë këtu, pajisja ka regjistruar 305 raste shkeljesh të përdoruesve të mjeteve.

“Të dashur përdorues mjetesh, kjo është një aparaturë që nuk të krijon mundësinë që t’i shpëtosh shkeljes, pavarësisht se mund të njohësh ministrin, kryeministrin, deputetin apo këdo qoftë. Kjo është një mënyrë krejtësisht automatike dhe gjoba do të vijë në bazë të regjistrimit të targës, që bëhet nga aparatura, me foto dhe me video, do t’ju vijë në shtëpi, aty ku keni deklaruar dhe adresën, ku  keni regjistruar mjetin tuaj. Tashmë nuk ka më mik! Është vetëm kjo aparaturë, punon ditën-natën, punon kudo, në çdo segment rrugor lehtësisht dhe përpunon lehtësisht të gjithë shkeljen dhe gjobën si rezultat i shkeljes, në mënyrë të pavarur, pa asnjë ndikim njerëzor”, u shpreh Çuçi.