Danimarka këtë fundjavë ka hequr te gjitha kufizimet duke u bërë shteti i parë në Evropë dhe më gjerë që i bën thirrje popullatës të mos ketë më frikë nga koronavirusi pasi është arritur imuniteti i tufës.
Në Danimarkë janë vaksinuar me të dyja dozat e vaksinave Pfizer-BioNTech, Moderna, AstraZeneca, më shumë se 80 për qind e të gjithë qytetarëve të rritur dhe atyre në moshë të mitur midis 12 deri 18 vjeç.
Masat kufizuese ishin në fuqi plot 548 ditë. Ato ishin nga më të voglat si mbajtja e maskës dhe deri tek ekstremet, lockdown.
Tani nuk ka më kufizime. Duke nisur nga kjo fundjavë dhe në disko e klube të tjera nate hyhet lirshëm dhe nuk kërkohet as tampon e as vërtetim vaksine.
Pasaporta e vaksinimit tashmë nuk kërkohet askund në Mbretërinë e Danimarkës.
Transporti publik nuk ka më detyrimin për mbajtje maske.
Zyrtarët deklaruan se kanë arritur në përfundimin se koronavirusi i ri Sars-Cov-2 nuk përbën rrezik për shoqërinë.
Kufizimet kanë mbetur vetëm në kufijtë territorialë të vendit, në aeroporte dhe spitale do të duhet të mbahet maska.
Sakaq kufijtë janë forcuar shumë dhe ende zbatohen rregulla të rrepta për shtetasit jo-danezë që duan të hyjnë në këtë vend.