Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu u ka bërë apel qytetarëve që të marrin dozat e anti-Covid, duke theksuar se varianti Delta po përhapet me shpejtësi të fr ikshme.
Ministrja tha se termi “pandemi e koronavirusit” ia ka lënë vendin termit “pandemi të të pavaksinuarëve”.
“Varianti i ri delta po vërteton përditë më shpejtësi alarmante tezën e studiuesve se ky është një variant me infektueshmëri më të lartë se virusi në formën e tij fillestare. Në Angli shifrat janë 26 herë më të larta se në këtë periudhë një vit më parë..
Në të gjithë botën delta po përhapet në mënyrë të frikshme. Ai po infekton njerëz që nuk e kanë bërë vaksinën, prandaj pandemia e koronavirusit ia ka lënë vendin termit pandemia e të pavaksinuarve. Në Spitalin Covid-1 janë 100 të shtruar, 17 në terapi intensive, janë më pak në krahasim me rajonin, por janë shumë duke marrë parasysh që jemi në gusht.
Mjekët më kanë raportuar se numri i të pavaksinuarve është 95 për qind e numrit total të shtrimeve. Mes masave të reja ka raste të formave të rënda të sëmundjes. E përsëris, se pavarësisht moshës në shumicën dërrmuese të vaksinuarit nuk kanë shfaqur rrezik për jetën, si rezultat i mbrojtjes nga vaksina. Sot qasjet indiferente ndaj thirrjes për tu vaksinuar dhe mosvaksinimi ndërkohë që rreziku rritet përditë janë thjesht të papranueshme”, tha Manastirliu.