Afganët do te strehohen në Tiranë dhe Durrës, cdo gje gati.. Gazetari jep detajet: Do mbërrijnë ne fillim 350 persona..

475
0

Një ditë pasi Shqipëria dha “OK” zyrtarisht për të mirëpritur afganët, vendi ynë ka nisur përgatitjet për pritjen e 350 persona fillimisht, sipas një marrëveshje të detajuar. Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta ka mësuar ekskluzivisht se Tirana dhe Durrësi do të jenë dy qytetet ku do të strehohet grupi i parë, teksa mbërritja e tyre pritet që të bëhet brenda pak ditësh, ndonëse nuk specifikohet një datë konkrete. Referuar të njëjtave burime, Report Tv ka mësuar gjithashtu se jo çdo person do të lejohet të strehohet në Shqipëri, por sipas marrëveshjes është specifikuar që do të pranohen vetëm ata që kanë qenë bashkëpunëtorë të aleancës NATO-SHBA, ose gra aktiviste dhe intelektualë siç ka specifikuar dje kryeministri Edi Rama.  

Qytetarët afganë që do të strehohen në vendin tonë kanë punuar gjatë këtyre viteve me SHBA-në dhe NATO, si dhe aktivistë dhe mendohet se do të jenë shënjestra e hakmarrjes talebane, pasi këta të fundit morën pushtetin, prandaj largimi i tyre është parë si emergjente. Menjëherë pas konfirmimit zyrtar që Shqipëria do të hap dyert për t’i pritur, pas nisjes së “luftës”, një numër i madh i qytetarëve afganë janë paraqitur në ambasadën shqiptare në Turqi në kërkim të evakuimit drejt vendit tonë, ndonëse ashtu si kurse është bërë e ditur edhe më herët, janë një kategori personash që do të lejohen.

Shqipëria ditën e djeshme mori vendimin se do të strehojë disa qindra afganë që kanë punuar me strukturat amerikane dhe ato të institucioneve të tjera ndërkombëtare në vendin e tyre, pas kërkesës së bërë nga Shtetet e Bashkuara. Kreu i qeverisë, Edi Rama tha se vendi ynë do të shërbejë si tranzit për një numër të caktuar emigrantësh politikë afganë, të cilët destinacion final kanë Shtetet e Bashkuara. Ende pa ardhur kërkesa e qeverisë amerikane, Rama tha se kanë mikpritur kërkesa për të vlerësuar strehimin e përkohshëm në Shqipëri të disa qindra personave, nga rrethet intelektuale dhe të grave aktiviste afgane. Pas Shqipërisë, edhe Kosova ka dhënë dritën jeshile për të pritur afganët, e ndërsa një vendim i tillë është pritur pozitivisht nga ndërkombëtarët, të cilët kanë vlerësuar vendin tonë si një vend i denjë aleat i NATO-s dhe SHBA-së. 

Organizata Ndërkombëtare e Migracionit dhe një tjetër organizatë e njohur pritet të kryejnë operacionin, ndërsa ardhja e tyre në vendin tonë do të bëhet me avion ushtarak amerikanë. Departamenti amerikan i Shtetit ka shpallur një program të ri i cili u mundëson mijëra afganëve mundësinë të zhvendosen si refugjatë në SHBA. Mijëra afganë që do të jenë pjesë e këtij programi. 

Kjo nuk është hera e parë që Shqipëria bëhet mikpritëse e njerëzve që përndiqen nga regjime totalitare, sic ka ndodhur  vite më parë me qindra muxhahedinë që strehohen në një kamp në afërsi të Manzës.