Ardhja e Bregovic/ Tërhiqet nga performanca në Korçë edhe këngëtari i fundit nga Kosova

336
0

Këngëtari Shemsi Krasniqi nga grupi “Ilirët” është tërhequr nga pjesëmarrja e tij në Festën e Birrës në Korçë. Si rrjedhojë, asnjë këngëtar nga Kosova nuk do të performojë për shkak të ardhjes së këngëtarit serb, Goran Bregovic.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Krasniqi, me anë të një deklarate në rrjete sociale. Ai ka njoftuar se eventi ka marrë konotacion politik e si rrjedhojë do të tërhiqet.

“Unë e kam menduar se kjo ka lidhje me art, por po e shoh që kjo nuk ka lidhje fare me art. Këtu kam gabuar pak dhe e pranoj gabimin tim se unë jam muzikant, nuk jam politikan. Kjo ka marrë një konotacion politik dhe unë kam vendosur që për këtë shkak të tërhiqem nga ky event.

Kam pasur dëshirë të flaktë të shkoja në Korçë se nuk kam kënduar kurrë në këtë qytet. Kam dashur ta këndoj atje këngën “Xhamadani vija vija”, këngën e Adem Jasharit.

T’ja këndoj masës, por për shkak të të gjitha rrethanave që kanë ndodhur unë nuk do të shkoj në Korçë. Vetëm nëse ndodh diçka dhe Bregovic nuk do të marrë pjesë, padyshim që do të jem aty!”, ka njoftuar këngëtari.

Më parë janë tërhequr dhe Capital T, Dafina Zeqiri, grupi “NA” dhe Dren Abazi (ky i fundit për arsyet e tij personale).