Mbare bota drejt masave anti Covid, zbulohen planet e qeverive të vendeve të mëdha se çfarë do të bëjnë nga shtatori

925
0

Mbarë bota është tashmë sërish në prag të një vale të re të ashpër të koronavirusit të ri Sars-Cov-2. Ajo që ndodhi në muajt prill-qershor kur u raportuan vetëm 1 deri 5 për qind e infektimeve të reja ditore më pak se muajt janar-mars, tani po ia lë vendin shifrave të 2020 dhe pjesës së parë të 2021.

Bota duket se po përjeton një valë të re infektimesh dhe ajo shihet të jetë më e madhe në shifra krahasuar me vitin e kaluar.

Por gjëja e mirë që bart ky lajm i keq, është se shtrimet në spitale janë më të pakta dhe vdekjet në pjesën më të madhe të vendeve kanë rënë drastikisht.

Të dhënat e fundit nga worldometer evidentojnë se ndër 16 milionë e 400 mijë të infektuar që janë momentalisht pozitivë, 100 mijë prej tyre janë në gjendje të rëndë.

Numri i vdekjeve ditore është shqetësues në Indonezi, mbi 2 mijë, në Iran, Rusi, Indi, Meksikë, Bangladesh, SHBA, Brazil, Vietnam.

Tani, situata po shihet ndryshe nëpër botë. Gjermania vendosi sot që të konsiderojë si shifra ndikuese, vetëm shtrimet në repartet e terapisë intensive dhe vdekjet. Autoritetet shëndetësore në këtë vend thanë se nuk do të merren më me numrin e infektimeve ditore sa kohë ato nuk kanë ndikim në rritjen e shtrimeve në spitale.

Po ashtu Gjermania ka vendosur sot që duke nisur nga shtatori e tutje të mos ketë më testime falas për qytetarët. Deri tani ata kanë të drejtë një herë në javë të bëjnë tampon ose rapid test pa pagesë.

Qeveria federale gjykon se tani e tutje jeta duhet përshtatur me koronavirusin, gjithnjë duke pasur parasysh që të mos ketë vështirësi hospitalizimi. E njëjta strategji raportohet se do të ndiqet nga shumë qeveri të tjera evropiane dhe në SHBA.

Nga ana tjetër, vaksinimi nuk do të bëhet i detyrueshëm për popullatat në tërësi, por për ata që kanë kontakte me qytetarë për shkak të detyrës në administratën publike.

Që qytetarët të mund të marrin shërbime të jetës së përditshme, do të duhet që të kenë një vërtetim vaksinimi përndryshe duhet të testohen kur futen në mjedise të mbyllura ose me volum njerëzish.

Delta jashtë kontrollit dhe në Kinë 

Delta ka dalë jashtë kontrollit duke rikthyer edhe një herë panikun në botë. Kryeqyteti kinez përjetoi shifrat më të larta prej shtatë muajsh ditën e sotme. Shpërthimi aktual ka shkaktuar edhe një herë rrëmujën e mëparshme kur në Wuhan nisi gjithçka.

Pas zhdukjes së plotë të infeksioneve duke u rikthyer në jetë normale, tani situata po ndryshon kryekëput.

Të martën, autoritetet shëndetësore kineze raportuan 143 infeksione të reja me koronavirus. Dhjetëra raste ditët e fundit janë lidhur me një vend testimi Covid-19 në qytetin lindor Yangzhou.

Në shenjë të ankthit ndaj shpërthimeve edhe relativisht të vogla, disa zyrtarëve u janë dhënë paralajmërime për keqpërdorimin e testimeve masive, të cilat autoritetet e qytetit thanë se lejuan përhapjen e virusit.