Saimiri u tregon zviceranëve sa e mirë është Shqipëria

733
0

“Zbuloni Shqipërinë! Ne i kemi bjeshkët e larta mbi 2700 metra si në Zvicër, bregdetin e gjatë 360 kilometra dhe kemi histori të perandorive të ndryshme… u drejtohet Saimir Shala vizitorëve të panairit të turizmit “Fespo 2018” në Cyrih

Ka shëtitur për 6 vite, mbi 50 vende në Azi, Afrikë dhe Evropë për të parë nga afër se si funksionon turizmi. Por, më së shumti i kishte bërë përshtypje Shqipëria, vend të cilin ai e ka eksploruar cep më cep brenda një muaji.

“Me një çantë në krah, prej Valbonës, Thethit dhe së fundi nga Butrinti dhe liqeni i Ohrit, i kam shëtitur të gjitha duke qenë i vetëm. Kam parë aq shumë dhe jam bindur për bukuritë që i ka Shqipëria. Pas kësaj vizite e kam pyetur veten, përse ne nuk i ftojmë më shumë zviceranët për të vizituar Shqipërinë?”. Kështu tregon Saimir Shala se si e ka nisur aventurën e tij me udhëtime grupore të organizuara për në Shqipëri.

Në maj të vitit të kaluar, Saimiri kishte filluar me organizimet e para për të marrë edhe përshtypjet e para të zviceranëve.

“Fillimisht kemi nisur me grupe miqësh zviceranë, me investimet tona dhe përshtypjet e para kanë qenë shumë të mira madje ata janë befasuar me bukuritë që ka Shqipëria”, thotë Saimiri, ndërkohë që i shpalos përshtypjet e tij për karakterin shumë miqësor dhe të këndshëm të shqiptarëve, sidomos të atyre në zonat rurale.

Bregdeti, malet, historia e bujshme…: Kjo është Shqipëria

 Pyetja e parë që bën Saimiri për vizitorët është: “A e njihni Shqipërinë?”.

Përgjigja ishte po, por jo nga pushimet.

“Zbuloni Shqipërinë! Ne i kemi bjeshkët në lartësi mbi 2700 metra si në Zvicër, bregdetin e gjatë 360 kilometra dhe kemi histori të perandorive të ndryshme, nga koha greke, romake, osmane. Kemi Liqenin e Komanit, ku ke përshtypjen se jemi në Norvegji” mundohet t’i bindë zviceranët Saimiri me partnerene tij.  

“Mësoni mbi historinë e Shqipërisë; shihni disa nga parqet dhe mrekullitë natyrore; përjetoni artin, arkitekturën dhe plazhet, shijoni verën dhe ushqimet tona; argëtohuni me udhëtimet panoramike, aktivitetet në natyrë dhe sportet”, iu thoshte vizitorëve të interesuar Saimir Shala, i cili po prezantonte i vetëm Shqipërinë në panarin më të madh të turizmit në Zvicër “Fespo 2018”. Kjo është njëherësh hera e parë që Shqipëria po prezantohet në këtë panair prestigjioz.

Me veshje kombëtare në panairin e Cyrihut

I veshur me veshje kombëtare shqiptare Saimiri po prezanton bukuritë e Shqipërisë para Rumanisë, vendi pritës i panairit, dhe është i bindur se Shqipëria pas 5 viteve do të jetë si Kroacia.

Saimiri thotë se janë të vetmit në panair që promovojnë Shqipërinë, as nga Kosova nuk ka shprehur askush interesim për të promovuar turizmin.

“Po shihet edhe nga interesimi i madh për Shqipërinë. Qëllimi nuk është vetëm biznesi por në radhë të parë promovimi i Shqipërisë në Zvicër duke nxitur punësimin dhe zhvillimin e ekonomisë atje” shprehet Saimiri. Ai tashmë i ka të planifikuara udhëtimet e para për muajin prill.

Ndryshe, Fespo filloi mirë në edicionin e këtij viti. Tashmë në ditën e parë të panairit, ekspozuesit ishin pak të befasuar nga nxitimi i vizitorëve. Deri të dielën, rreth 600 ekspozues nacional dhe ndërkombëtarë do të paraqesin ofertat e udhëtimit për vitin 2018. Me temën e veçantë “udhëtimi pa pengesa”, edicioni i vitit 2018 fokusohet në pushimet për njerëzit me aftësi të kufizuara.