“Basha të japë dorëheqjen”, vjen kërkesa e parë e anëtarit të Kryesisë: Iu bëj thirrje të gjithë demokratëve..

487
0

Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha i kërkohet të japë dorëheqjen si përgjegjës për humbjen e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.

Kërkesa për largimin e Bashës është bërë nga anëtari i Kryesisë, Fatbardh Kadilli.

“Sot demokratët dhe opozitarët në Shqipëri ndihen të trishtuar. Partia jonë dështoi në krijimin e mekanizmave dhe të besimit popullor për t’u përballur me të keqen. Me makinerinë propagandistike, financiare dhe abuzuese të pushtetit. Ne nuk arritëm ta frymëzojmë mbështetjen e gjerë opozitare, dhe as elektoratin gri, për t’i dhënë votës forcën dhe vlerën që ka në demokraci.

Ne nuk arritëm që të kapërcenim presionin, blerjet, makinacionet, joshjet dhe hilet e sistemit të ngritur nga ky pushtet. Ne nuk arritëm t’a kthenim në frymë ndryshimi zhgënjimin popullor. Si rrjedhojë jemi përballë këtij rezultati. Të cilin nuk e shmangim dot as me fajësim të njëri-tjetrit, as me taktika kalimtare, dhe as me demonizim të kundërshtarit. Rezultati negativ është i pamohueshëm”, shkruan Kadilli.

Më tej ai bën shpall edhe kandidaturë për kryetar të Partisë Demokratike.

“Të gjithë bashkë duhet të analizojmë mangësitë personale dhe kolektive në këtë humbje. Duke mos harruar: si në çdo skuadër, drejtuesi mban përgjegjësinë e humbjes, siç do të merrte edhe dafinat e fitores. U bëj thirje demokratëve: ndërkohë që nxjerrin konkluzione, të përmbahen nga etiketimi i atyre që nuk na zgjodhën ne, që nuk menduan si ne, që nuk na panë ne si alternativë.

Kërkimi i arsyeve të humbjes duhet filluar te vetja dhe te kundërshtari politik, asnjëherë te votuesi dhe zgjedhja e tij. Ne duhet ta pranojmë se nuk kishim një propozim fitues për Shqipërinë. Alternativa jonë ishte vetëm kryetari i partisë, që u dëshmua përsëri e pamjaftueshme. Duke ndjerë keqardhje dhe solidarizim të plotë me sakrificën e demokratëve dhe strukturave të partisë gjatë një opozite 8 vjeçare, jo pak here edhe të pabusull, kërkoj largimin e menjëhershëm nga funksionet drejtuese dhe dorëheqjen e Lulzim Bashës.

Jo vetëm për faktin se partia gjendet sot përballë humbjes së tretë, por më shumë se kaq, ky është një model që ka shterruar. Me anë të këtij akti, ai jo vetëm njeh përgjëgjësitë për rezultatin, por edhe respekton një standard të vendosur në Partinë Demokratike nga paraardhësi dhe themeluesi i kësaj force, Sali Berisha.

I bëj thirrje Kryesisë të mblidhet sa më shpejt dhe të përcaktojë modalitetet e garës për lidershipin e ri. Nuk kemi kohë për të humbur. Përpara shqiptarëve kemi misionin për një opozitë të re! Gjithashtu, shpall sot kandidimin për detyrën e Kryetarit të Partisë Demokratike. Iu bëj thirrje të gjithë demokratëve të mos dorëzohen.

Ne jemi parti e vlerave dhe forcës; trashëgimtare e Lëvizjes së Dhjetorit, besimtare e kredos: ‘e duam Shqipërinë si gjithë Evropa’. Me këtë rast, si anëtar Kryesie dhe si Kandidat për Kryetar, u bëj thirrje numëruesve dhe vëzhguesve, që sot janë në krye të punës më të vështirë, mbrojtjes së vullnetit të mbështetësve të opozitës dhe çdo shqiptari, të bëjnë të gjitha përpjekjet për të numëruar dhe ruajtur çdo votë.

Nga sakrifica e tyre sot fillon ringritja nesër. Iu bëj thirrje të gjithë demokratëve të mos dorëzohen. Ne duhet të kthehemi te thelbi i misionit tonë, ringritja si parti e shpresës së shqiptarëve. Ringritja fillon që sot”, shprehet Kadilli.