Sot në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, u diskutua deklarata e kryeministrit, Edi Rama, i cili tha se bizneset të marrin punëtorët e huaj në Shqipëri.
Në një takim me një pronar masonerie në Shkodër, duke folur për mungesën e krahut të punës, Rama i tha pronarit: “Me këtë pagë që ke ti këtu i ke të sigurt punëtorët e huaj nga Bangladeshi, nga Afganistani dhe nga India”.
Në një lidhje direkte me emisionin ishte sot një nigerian i cili jeton dhe punon në Shqipëri. Cyprian Emesurum tha se fillimisht ka ardhur në Shqipëri për të parë vendin, e më pas ka qëndruar për të punuar.
Edhe pse paga që ka këtu në vendin tonë është e njëjtë me atë që kishte në Nigeri, ai ka zgjedhur që të qëndrojë në Shqipëri pasi vlera e parasë është më e lartë këtu se në vendin e tij të lindjes.
Biseda mes moderatorëve, Erjona Rusi dhe Flori Gjini me Cyprian Emesurum:
Cyprian: Jetoj në Shqipëri prej një viti e gjysmë
Moderatorët: Ku punon?
Cyprian: Punoj në Vorë në një kompani
Moderatorët: Sa paguhesh?
Cyprian: 300 dollarë
Moderatorët: A paguan qira?
Cyprian: Jetoj në Vorë, e tani për tani nuk paguaj qira. Kemi arritur një marrëveshje me kompaninë
Moderatorët: Pse erdhe në Shqipëri si fillim?
Cyprian: Për të udhëtuar, për të parë vendin, e më pas për të punuar.
Moderatorët: Si është paga në Shqipëri dhe në Nigeri?
Cyprian: Është e njëjta pagë
Moderatorët: Pse nuk qëndron atje kur është e njëjta pagë? Çfarë ke këtu që nuk e gjen në Nigeri?
Cyprian: Vlera e parasë në Shqipëri është më e madhe se sa ne Nigeri.
Moderatorët: A dëshiron shoqëria apo të afërm tuaj që të vijnë këtu?
Cyprian: Duan që të vijnë.
Moderatorët: A janë duke u përgatitur që të vijnë?
Cyprian: Jo për momentin
Moderatorët: Pse jo?
Cyprian: Nuk është e lehtë që të gjejmë punë për shkak të gjuhës.
Moderatorët: A ke hasur në diskriminim nga shqiptarët?
Cyprian: Është 50 me 50. Habiten nga ngjyra e lëkurës dhe është reagimi i parë se çfarë bën ti në Shqipëri.