Ç’po ndodh me pensionet e shqiptarëve në Itali? Ja cfare thote Ministri italian

1472
0

Ministri italian i Punës e Çështjeve Sociale, Andrea Orlando i përgjigjet pyetjeve të gazetares së RTV Ora Alba Kepi në Romë.

Prej shumë vitesh emigrantët shqiptarë në Itali, presin nënshkrimin e një marrëveshjeje mes dy vendeve që do të mundësoj njohjen e viteve të tyre të punës si në Shqipëri e në Itali me të drejtën e marrjes së pensionit të plotë për të gjithë ata emigrantë, kryesisht të brezit të parë që tashmë kanë mbushur moshën e pensionit.

RTV Ora ka trajtuar disa herë problemin e pensioneve të emigrantëve shqiptarë në Itali duke përcjellë preokupimet e tyre e pakënaqësitë ndaj indiferencës së institucioneve shqiptare për arritjen e një marrëveshje dypalëshe. 

Një marrëveshje dypalëshe pensionesh Italia e ka nënshkruar prej kohësh me disa vende të botës si me Malin e ZI, Maqedoninë, Kosovën, me Argjentinën, Tunizinë, Bosnjën, Izraelin, Meksikën, Kanadanë, Brazilin etj, por jo me Shqipërinë. 

Prej vitit 2013 qeveria shqiptare e rendit këtë problem në listën e premtimeve elektorale por deri më sot nuk ka asnjë hap konkret në bisedime institucionale mes dy vendeve.

Tashmë në moshë pensioni, moshës 67 vjeç, shumë emigrantë shqiptarë janë të detyruar të punojnë, pasi vitet e punës në Itali nuk u garantojnë pensionin e plotë. 

Shumë të tjerë janë të detyruar të jetojnë në kushte ekonomike jo të favorshme  e të pranojnë daljen në pension me një pagë sociale që u ofrohet nga shteti e që është shumë e ulët në vlerë, e disponueshme për të gjithë ata që janë në moshë pensioni e që nuk kanë mbushur vitet e punës në Itali. 

RTV Ora ka mundur të përcjellë këtë problematikë tek Ministria Italiane e Punës e Çështjeve Sociale e të marr një përgjigje nga kreu i këtij Institucioni, Ministri Andrea Orlando.

Alba Kepi – Ministër, shoqatat e emigrantëve shqiptarë në Itali ju kanë dërguar një letër së bashku me një peticion me mbi 10 mijë firma, ku kërkojnë njohjen e viteve të punës në Shqipëri dhe në Itali si dhe nënshkrimin e një marrëveshje dypalëshe që do të mundësojë të drejtën e pensionit si për emigrantët shqiptarë në Itali ashtu dhe për italianët që punojnë në Shqipëri.  A po punoni në këtë drejtim e sa shpresa ka kërkesa e tyre për t’u realizuar?

Ministri i Punës e Çështjeve Sociale Andrea Oralndo – Po kam marrë këtë apel të komunitetit shqiptarë në Itali. Kam vendosur që shumë shpejt të takohem me përfaqësuesit e tyre. Jemi bërë palë aktive për t’i dhënë një përgjigje pozitive kërkesës së emigrantëve shqiptarë.

Por kur do të realizohet një njohje e tillë e sa i rëndësishëm është faktori kohë në këtë proces? 

Për njohjen sa më shpejt të marrëveshjes dypalëshe për pensionet, një rol kyç ka qeveria shqiptare e cila disa herë ka shkarkuar përgjegjësinë tek autoritetet italiane.

Vetë kryeministri shqiptar Edi Rama në profilin e tij zyrtar, kërkesave të emigrantëve për njohjen e pensioneve në Itali, më datë 21 shkurt 2021  i është përgjigjur se gjithçka është “në duart të palës italiane.”

Në Itali aktualisht është në fuqi reforma e pensionit e njohur ndryshe si “Kuota 100”. Vitet e punës të mbledhura me moshën e individit , nëse përmbushin kuotën 100 garantojnë automatikisht marrjen e pensionit të plotë. 

Nëse kjo marrëveshje do të kryhej brenda këtij viti, i jep mundësi shumë emigrantëve shqiptarë të hyjnë në normativën e saj e të gëzojnë pension të plotë. Por në rast se vonohet përtej datës 31 dhjetor 2021, do të duhet të kuptohet reforma e re e pensioneve që qeveria italiane do të aprovoj pas kësaj date.

Alba KepiMinistër, më 31 dhjetor 2021 skadon reforma e pensioneve “Kuota 100”? Çfarë do të ndodh pas këtij afati?

Ministri Andrea Orlando – Kemi aktivuar e trashëguar nga qeveria e mëparshme disa çështje të lidhura me pensionet. Po kryejmë një analizë për të kuptuar se në ç’kushte ka funksionuar “Kuota 100” e çfarë ka prodhuar ajo. Kjo reformë (pra Kuota 100), nuk do të jetë një temë prioriteti politike derisa nuk do të nisim punët për dy çështje të tjera që i konsideroj të rëndësishme si reforma e amortizatorëve socialë e nisja e bashkëpunimi me rajonet mbi politikat lokale në sistemin e punës. Sapo të nisim këto reforma do të mendojmë për gjërat e tjera. Gjëja më e rëndësishme për momentin  është t’ju japim përgjigje punëtorëve që rrezikojnë të humbin punën apo janë në kërkim të punësimit.

Në këtë fazë emergjence social-ekonomike pandemike që ka përfshirë Italinë kontributi i qeverisë shqiptare për kërkesën e emigrantëve bëhet thelbësor.

Emigrantët shqiptarë në Itali përmes apeleve mediatike, e letrave të dërguara pranë institucioneve italiane, siç konfirmoj dhe ministri Orlando, kanë hapur rrugën e bisedimeve, e i takon autoriteteve shqiptare të bëhen zëri i emigrantëve për firmosjen sa më shpejt të kësaj marrëveshje.