“Kujdes nga mashtrimet me vizat”, ambasada amerikane paralajmëron shqiptarët

499
0

Ambasada e Amerikane në Tiranë, ka paralajmeruar qytetarët shqiptarë që të tregohen të kujdeshëm sa i përket faqeve ‘fake’ në internet apo adresave të ‘e-mailit’ që i ftojnë ata të aplikojnë për vizë amerikane, duke kërkuar edhe një pagesë të caktuar.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, stafi i ambasadës amerikane, thekson se Departamenti i Shtetit nuk do të kërkojë kurrë transferim parash nga një individ apo organizatë tjetër për marrjen e një vize.

Ambasada iu kërkon të gjithë të interesuarve që të informohen para se të bien pre e mashtrimeve të tilla.

“Ne kontaktohemi vazhdimisht nga individë që kanë rënë viktima të mashtrimit të vizave. Mashtrimet zakonisht përfshijnë faqe interneti të rreme, adresa emaili dhe kërkesa për tarifa shtesë që duhet paguar për të marrë një vizë. Mos harroni, Departamenti i Shtetit nuk do t’ju kërkojë kurrë të transferoni para tek një individ apo organizatë tjetër për të marrë vizën tuaj. Informoni veten në mënyrë që të mos bëheni viktimë e një mashtrimi!”, shkruan ambasada në njoftimin e saj.