Nga e ka origjinën koronavirusi? Flet kreu i OBSH-së: Konfirmoj se të gjitha hipotezat..

370
0

Të gjitha hipotezat mbi origjinën e COVID-19 janë akoma të hapura nga OBSH, tha Drejtori i Përgjithshëm i organizatës, Tedros Adhanom Ghebreyesus në një konferencë të premten.

Ai i bëri komentet ndërkohë që Uashingtoni ka thënë se dëshiron të shikojë të dhënat e një misioni të drejtuar nga OBSH-ja në Kinë.

Misioni, i cili qëndroi katër javë në Kinë për të parë origjinën e shpërthimit të COVID-19, tha këtë javë se nuk po e shqyrtonte më tej çështjen nëse virusi doli nga një laborator, gjë që e konsideronte shumë të pamundur.

Administrata e mëparshme amerikane e Presidentit Donald Trump, kishte shprehur dyshime se virusi mund të kishte shpëtuar nga një laborator kinez, gjë që Pekini e mohon me forcë.

“Janë shtruar pyetje se përse disa hipoteza janë përjashtuar. Duke folur me disa anëtarë të ekipit, dëshiroj të konfirmoj se të gjitha hipotezat mbeten të hapura dhe kërkojnë analiza dhe studime të mëtejshme,” tha Tedros.

“Një pjesë e kësaj pune mund të jetë jashtë fushës së veprimit të këtij misioni. Ne gjithmonë kemi thënë që ky mision nuk do t’i gjejë të gjitha përgjigjet, por ai ka shtuar informacione të rëndësishme që na çojnë më pranë kuptimit të origjinës së virusit COVID-19,” tha ai.

Tedros tha se një raport përmbledhës i gjetjeve të misionit mund të dalë javën e ardhshme, pasuar nga një raport përfundimtar më vonë. Të dy raportet do të bëhen publike.

Misioni ka thënë se hipotezat e tij kryesore janë se virusi e ka origjinën në një lakuriq nate, megjithëse ekzistojnë disa skenarë të mundshëm se si ai kaloi te njerëzit, ndoshta së pari duke infektuar një specie tjetër kafshësh.

Administrata Trump e vuri gishtin tek një laborator në qytetin kinez Wuhan, duke thënë se një virus që po studiohej atje mund të kishte shpëtuar. Kina ka thënë prej kohe se laboratori, Instituti i Virologjisë i Wuhanit, nuk e ka poseduar ndonjëherë virusin COVID-19.

I pyetur se përse misioni nuk besonte që një laborator të mund të ketë qenë burimi, kreu i misionit, Peter Ben Embarek, tha në konferencën e së premtes se shkencëtarët e laboratorëve në Wuhan i kishin thënë ekipit të tij se nuk e kishin virusin. Nëse ata do ta kishin studiuar virusin para shpërthimit, tha ai, kjo nuk do të kishte qenë sekret.

“Zakonisht studiuesit e laboratorëve që punojnë dhe zbulojnë viruse të reja i botojnë menjëherë gjetjet e tyre. Kjo është një praktikë e zakonshme në të gjithë botën, veçanërisht me viruse të reja interesante,” tha ai. /VOA