Skip to content

Tom Doshi injoron mesazhin e ambasadores amerikane, ja cfare ben ai

    Deputeti Tom Doshi ka depozituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për t’u regjistruar në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

    Kërkesa, është bërë me statusin e kryetarit të Partisë Social-Demokrate, PSD.

    Kjo lëvizje, vjen vetëm pak ditë pasi ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim kujtoi vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit që e ka shpallur Doshin person “non grata”, duke e futur kështu në listën e zezë të personave që u ndalohet hyrja në SHBA.

    “Ndërsa autoritetet zgjedhore të Shqipërisë përgatisin zgjedhjet, ia vlen të kujtohet ky paralajmërim i bërë nga Sekretari i Shtetit në SHBA-së pas shqyrtimit të kujdesshëm të informacionit. Me siguri, votuesit e Shqipërisë meritojnë më shumë”, – shkruante në mesazhin e saj, ambasadorja Yuri Kim.

    Tom Doshi, është kryetar i Partisë Social-Demokrate të Shqipërisë dhe vendimi për kandidimin ose mos kandidimin i takon atij.

    Në vitin 2018 Departamenti Amerikan i Shtetit, e shpalli Doshin të papërshtatshëm për të hyrë në SHBA, për shkak se akuzohet për korrupsion.

    Në vendimin e DASH thuhej: “Në bazë të ligjeve amerikane, kur Sekretari i Shtetit, ka informacione të besueshme se një zyrtar i huaj është përfshirë në raste madhore korrupsioni, ose shkelje të të drejtave të njeriut, atij dhe familjes së tij të ngushtë i ndalohet hyrja në Amerikë. Sekretari i Shtetit mund t’ia bëjë njoftimin zyrtarit privatisht ose në publik. Në bazë të njoftimit të sotëm, deputeti Doshi, bashkëshortja e tij Xhovana Doshi, vajza e madhe Briana Doshi, djali në moshë madhore James Doshi dhe fëmijët në moshë të mitur nuk lejohen të hyjnë në Amerikë”.

    Javët e fundit ambasadorja Yuri Kim ka rritur presionin mbi partitë politike, duke u kërkuar të filtrojnë listat e kandidatëve për deputetë, në mënyrë që të shmangen personat me rekorde kriminale.

    Pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama do t’i përgjigjej në këtë mënyrë: “Unë nuk kam nevojë të ma kujtojë ambasadorja amerikane punën dhe detyrën time ndaj ligjit, kam shumë respekt për ambasadoren amerikane”.

    Sipas kreut të qeverisë, ligji është i qartë, “kush ka vepra penale për të cilat është dënuar, duhet të mos kandidojë për një funksion publik”.

    Ndërkohë që pas kësaj deklarate, Yuri Kim reagoi me një postim në Twitter: “Liderët e partive nuk duhet të pastrojnë listat e tyre thjesht sepse disa ambasadorë thanë kështu ose sepse e kanë bërë të qartë se korrupsioni është një përparësi. Ata duhet ta bëjnë atë, sepse kërkohet nga ligji shqiptar dhe që pritet nga një aleat i NATO-s dhe aspirant i BE-së dhe është një shenjë themelore e respektit për votuesit”, do të shprehej ambasadorja amerikane.