Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj ka folur sërish në lidhje me rritjen rekord të të prekurve me Covid-19 në vend në ditët e fundit.
Ministria e Shëndetësisë: konfirmoi se nga 4270 testime, bilanci ishte i tillë: 676 të shëruar, 1089 raste të reja dhe 15 humbje jete në 24 orët e fundit
Duke shprehur shqetësimin për një relaksim siç e quan ai të popullsisë, Brataj thotë se nuk mund të presim kur të shkojnë 600 të shtruar në spitale, në mënyrë që të veprojmë për shtimin e masave.
Është rritur me 45% numri i të shtruarve në spitale nga personat e prekur në 2 javët e fundit, prandaj Brataj thotë se për mendimin e tij duhet të rishikohen masat, në rast se shifrat vazhdojnë të rriten në këtë mënyrë, që të shmanget ndonjë kolaps.
“Me fillimin e ftohtit kushtet për virusin janë më optimale. Janë disa faktorë, pothuajse dhe grumbullimet e njerëzve, sidomos i më shumë se 2 familjeve, të gjitha këto kanë çuar në rritjen e përhapjes së infeksionit, që përkthehet në humbje më të mëdha jete”, tha Brataj, teksa ka folur ditën e sotme në një intervistë për Fax News. Ai sqaroi se Komiteti i Ekspertëve nuk ka marrë asnjë masë për shtrëngim masash. – “Sa herë japim ndonjë intervistë, themi diçka, del një artikull tjetër për tjetër. Thashë dje që nëse rritet numri, do të ketë masa të tjera, por nuk kam thënë nëse do merren apo jo”.
“Nuk jam vetëm unë që vendos, është një grup ekspertësh, një ministri, që vendos. Unë them që nëse shifrat janë këto, rriten numri i të shtruarve, ça mund të bëjmë përveçse të shtrëngojmë masat. Ajo bëhet me kufizim kohor, mbyllja e aktiviteteve jo esenciale, pra siç bën gjithë bota, që nga lockdoën-i pjesshëm, etj., por kjo s’do të thotë se do të bëhen. Jemi në monitorim”, shtoi Brataj.
“Është rritur në 48-50% shtrimi në spital. Duke ditur që kemi 550 shtretër në dizpozicion. Nga 284 që kishim para 27 janarit, kemi arritur në 404. Nëse ecim me këto ritme do futen në punë dhe skenarë të tjera, si për shembull hapja e spitaleve rajonale. Janë skenarë që ezaurohen mekëto ritme. Në mënyrë që ne të shmangim ndonjë kolaps, mendimi im si ekspert është që të kemi shtim të masave nëse shifrat vazhdojnë të rriten”.
“Në qofte se një numër i caktuar për 100 mijë banorë është i infektuar, që është kufiri i marrjes së masave, nëse është 200 të infektuar për 100 mijë banorë në një javë dhe kjo është rritur në 2 javët e fundit. Nëse arrijmë te 450-500 të infektuar në një javë për 100 mijë banorë, atëherë të gjitha indiciet të çojnë drejt mbylljes. Por kjo s’do të thotë se do të bëhen. Dua të jem i qartë. Por këto janë skenarët”.
“Kemi 31.000 të infektuar aktive, ndër të cilat 404 janë në spital. Duke parë numrat indikatorët ne i referojmë dhe dilet në një konkluzion, atëherë vendoset nëse situata është akoma në kontroll”.
“Sigurisht që situata është në kontroll. Nuk është në kontroll pikësëpari kur kërkesa është më e madhe nga ajo që ti ofron. Deri në këtë moment situata ka qenë e kontrollueshme”.
“Por të presim e të shohim sa do të jetë pas 2 javësh. Nuk mund të presim 2 javë që të shkojë që të shkojë në 600 numri i të shtruarve pastaj të marrim masat. Më duket se po relaksohemi pak”.
“Ka akoma njerëz që nuk është prekur nga sëmundja që neglizhon, apo të tjerë që e kanë kaluar. Por nuk ka studim që thotë se nuk prekesh së dyti, në këtë mënyrë rrezikojnë veten dhe të tjerët”.
“Nëse unë e mbaj maskën që mos të marr gjobë por jo të mbrohem, duhet ndryshuar ky mendim. Kjo është gjendja aktuale, apo si merren vendimet,” tha Brataj.