Jeton prej mëse një viti në një gjysëm banesë të shkatërruar dhe ka tre fëmijë, 1 vjeç, 4 dhe 10 vjeç. Djali i saj i madh del rrugëve për të mbledhur kanaçe e hekura nëpër plehra. Thotë se i duket vetja si babai i dy vëllezërve të tij më të vegjël.
Kjo është historia e trishtë e Erjona Gegës, e cila jeton në Tiranë. 30 vjeçarja thotë për emisionin “shqiptarët për shqiptarët” se para një viti i shoqi e braktisi. U zhduk dhe nuk u kthye më kurrë, duke e lënë fillikat me 3 fëmijë. Kur Erjona tregon historinë e saj, e ka vështirë të mos preket. Lotë i dalin kur tregon se në barraken ku jeton i është dashur që me gurë të mbyllë vrimat prej frikës se mos gjarpërinjtë e minjtë që dalin shpesh, mund t’i lëndojnë vogëlushin 1 vjeçar.
“Quhem Erjona Gega, jam 30 vjeçe nga Tirana. Kam tre fëmijë, tre djem. Njëri 1 vjeç, tjetri 4 kurse i madhi 10 vjeç. Kur unë nuk kisha asnjë shtëpi e asnjë gjë, bashkëshorti më iku dhe ende nuk e di se nga bëhet. Nuk është këtu më… vazhdoja shkollën, kam patur qejf infermierinë, të isha dhe unë dikush, por mundësia nuk mu dha… ky ishte fati im.
Kam patur momente të vështira, kam ndenjur dhe në rrugë me fëmijët. Në këtë shtëpi kam përfunduar sepse nuk kisha para për të paguar qiranë. Kushtet e shtëpisë janë të vështira, pasi këtu çfarë nuk dalin nga toka. Gjarpërinj të vegjël kanë dalë, minjtë janë të shumtë. Vrimat jam munduar t’i mbyll me gurë. Gjithsej marr 60 mijë lekë në muaj, ato para i përdor për të ushqyer fëmijët, e më pas qiranë.”-thotë Erjona.
Ende më e rëndë është të dëgjosh djalin e madh të Erjonës, Rein. 10 vjeçari tregon për emisionin “shqiptarët për shqiptarët” se shpesh lë pas dorë shkollën. Duhet të shkojë “në punë”, të mbledhë ç’të gjejë për pak para. Ato pak lekë që ai mbledh kur shet kanoçe e hekurishte janë shumë për vëllezërit e tij të vegjël. Rei tregon se çantën që përdor për shkollën e ka gjetur tek plehrat, por po ashtu dhe suprinën që e ka fiksuar me gozhda, për ta kthyer në tavolinën ku bën detyrat dhe ushqehet.
Rei: Jam në klasë të kartërt, ndonjëherë marr 10, ndonjëherë 6 apo shtata. Mësuesja më thotë të hap më shumë librat e të mësoj, por unë nuk kam kohë që të mësoj. Unë dal jashtë dhe mbledh në tokë bakër dhe kanaçe, që të mbaj vëllezërit e mi me bukë.
Çantën e shkollës e kam gjetur tek plehrat. Disa fletore i kam gjetur po ashtu. Kam grisur ato letrat e përdorura dhe mbaj të pastrat. Tavolinën këtu e kam gjetur tek plehrat dhe e kam fiksuar me gozhda. Këtu i bëj detyrat dhe ha bukë.
Erjona duket e deprimuar plotësisht. Mjerimi e ka përkulur dhe në shpirtin e saj është krijuar bindja se gjithka do të shkojë më keq.
Erjona: Djali im i vogël është detyruar të dalë në rrugë për vëllezërit e tij. Është bërë si baba për ta (qan). Ka nja dy javë që nuk e kam çuar në shkollë. Nuk kam se çfarë t’i jap, asnjë gjë për të ngrënë. Më thotë im bir se me zorr pret të rritet, më thotë mami unë nuk do të lë asnjëherë, do të ndihmoj gjithmonë.
Historia e trishtë e kësaj familje ka prekur mjaft shqiptarë, përfshi këtu edhe disa fëmijë të shkollës fillore në Tiranë. Një grup i fëmijëve të klasës së gjashtë në një shkollë private në Tiranë ka bërë një gjest për t’u përshëndetur për Erjonën dhe fëmijët e saj. Ata kanë thurur verore dhe kanë shitur disa ushqime në shkollë. Paratë e grumbulluara kanë ardhur vetë personalisht për t’ja dorëzuar Erjonës.
30 vjeçarja mbetet pa fjalë, ndërsa lotët i mbushin fytyrën.
Erjona: Faleminderit shumë (qan), Zoti ua shpërbleftë këtë gjest kaq të bukur.
Nxënësja: Ne kemi thurur 200 verore, kemi përgatitur ushqime dhe i kemi shitur në shkollë. Dhe ato para që kemi grumbulluar menduam t’ia dhurojmë juve.
Erjona: Faleminderit shumë, nuk di çfarë t’ju them, nuk e prisja. Ju falënderoj nga zemra.
Emisioni Shiqptarët për shqiptarët, ka shkuar ta vizitojë Erjonën në banesë. Në shtëpinë e saj ka qenë bashkëshortja e Elvis Nait dhe moderatorja Ola Bruko. Në bisedë, Erjona i tregon Fatmës e Ola Brukos se dje nuk kishte ushqim për t’i dhënë fëmijëve. Një komshije i ka dhënë dy copa byreku që të mund të ushqejë fëmijët e saj. Pas këtij momenti, të gjithë dalin jashtë banesës për një udhëtim drejt Durrësit. Atje Fatma e Ola i bëjnë disa surpriza fëmijëve, përfshi këtu dhe një biikletë për Rein 10 vjear dhe një “motorr” për 4 vjeçarin.
Pas këtyre suprizave të vogla, Fatma e drejton Erjonën në një pallat, po në Durrës. Atje pret surpriza e vërtetë e madhe që do të ndryshojë jetën e 30 vjeares.
Fatma: Erjona ne kishim një porosi nga Elvisi, dëshiron të dish kush janë këta miq që na presin brenda? Po të them diçka, ata miqtë që na presin brenda, janë gjithë shqiptarët…kjo është shtëpia jote!
Erjona: Faleminderit të gjithëve për surprizën
Erjona nuk e beson. Përlotet menjëherë. 30 vjeçarja qan teksa sheh e habitur shtëpinë e re. Banesa është plotësisht e mobiluar dhe me dhoma të ndara për të dhe fëmijët. Erjona e ka të vështirë të besojë se gjithçka ndryshoi menjëherë për të.
Erjona: Nuk e prisja… ju falënderoj të gjithëve për këtë dhuratë kaq të madhe… (qan)
Fatma: Historia jote na ka prekur të gjithë, ti e di që shqiptarët vëne dorën në zemër kur dikush ka nevojë për ndihmë. Ti ke një fillim të ri dhe shpresojmë të kesh një jetë të lumtur!
Në emisionin “Shqiptarët për shqiptarët” Elvis Naçi tregoi se një shqiptar që jeton në SHBA kishte vendosur të kontaktonte me emisionin për të dhuruar banesën e tij në Durrës. Sot ajo shtëpi është bërë banesa për Erjonën dhe 3 fëmijët e saj të vegjël.
Naçi: Falenderoj shumë atë shqiptar që e dhuroi atë shtëpi në Durrës. Jeton në Amerikë. E kam patur një shtëpi në Durrës dhe kur shkova në Amerikë më tha, vendosa ta dhuroj. Kishte disa vite që nuk banohej. Ne shkuam dhe e mobiluam, e rregulluam dhe atë shtëpi ia dhuruam Erjonës.