Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një komunikim me Komitetin e Ekspertëve të Shqipërisë dhe Komitetin Shkencor të Turqisë, për masat për përballimin e pandemisë Covid 19.
Në fjalën e mbajtur në komunikimin e përbashkët me homologët shqiptarë, eksperti turk, Rexhep Ozturk, zbuloi telefonatën Rama-Erdogan, që e solli ekipin turk në Shqipëri.
“Dua t’ju përcjell mesazhet falënderuese dhe përshëndetjet e përzemërta të presidentit Erdogan. Referuar telefonatës që keni bërë me presidentit tonë, menjëherë jemi vënë në lëvizje dhe kemi marrë rrugën për në Shqipëri”, – tha ai.
Ai ka kërkuar që metoda e ndjekur në vendin e tyre për të frenuar infeksionin, të zhvillohet dhe në Shqipëri.
Profesori Rexhep Ozturk, ka thënë se do të ndihmojnë vendin tonë për të frenuar përhapjen e Covid-19, sipas një mënyre që është aplikuar në Turqi dhe ka dhënë shumë rezultat, por gjatë fjalës së tij ai nuk e tregoi se cila ishte.
Ndërsa në fjalën e mbajtur, kreu i qeverisë shqiptare theksoi se e gjithë bota po përballet me një situatë të vështirë, teksa tha edhe njëherë se sistemi ynë shëndetësor i ka të gjitha kapacitete për të përballuar çdo situatë.