Spitali Rajonal Vlorë ka reaguar me një njoftim lidhur me denoncimin e bërë ditën e djeshme nga PD që tha se spitali është kthyer në vatër të koronavirusit për shkak të mosrespektimit të masave. Sipas spitalit, deklaratat e PD janë një keqinformim për publikun për të dëmtuar ekonominë e qytetit dhe turizmin teksa paralajmëron se do ta coje lajmin me padi ne gjykate.
Spitali pranon se një punonjës i personelit shëndetësor është infektuar me koronavirus, por gjatë kohës që ka qenë me leje dhe jo ne pune. Ndërkohë sa i takon rrezikut të mbylljes së maternitetit, spitali i Vlorës thotë se dje ka ardhur në jetë dhe një banor i ri i Vlorës dhe fatmiresisht gezon shendet te plote.
Deklarata e plotë e spitalit:
Spitali Rajonal Vlorë që është një nga pikat referuese të jetës në komunitet, bën me dije se në deklaratën e PD Dega Vlorë ka një keqinformim keqdashës! Qëllimi eshte për të dëmtuar biznesin, ekonominë e qytetit nëpërmjet panikut të përhapur nga një mashtrim i tillë për personelin shëndetësor dhe situatën në spital, i bën jo vetëm keqdashës por edhe objekt të kallëzimit që institucioni do të bëjë pranë organeve përkatëse gjyqësore.
Spitali Vlorë për sqarim të komunitetit, bën me dije se një personel shëndetësor asimptomatik që ka rezultuar pozitiv është infektuar jashtë spitalit duke qenë pjesë e rrethit të kontakteve të personave të testuar më parë. Punonjësja, për arsye të tjera shëndetësore ka qenë me paaftësi të përkohshme gjatë kësaj kohe.
Spitali Rajonal Vlorë në zbatim të dispozitave ligjore, prej muajsh ka ndaluar hyrjet e familjarëve duke arritur të mbrojë personelin si dhe vetë pacientët duke mirëmenaxhuar, si dhe në bashkëpunim me çdo qytetar vlonjat që ka treguar mirëkuptim.
Janë qindra vizita mjekësore që kryhen çdo ditë nga mjekë e infermierë të palodhur që i japin qytetit vlerën e profesionistëve! Janë jetë të shpëtuara çdo ditë nga puna e tyre, janë ato ekipe që sfiduan panikun edhe për muaj të tërë mohuan familjet e tyre duke ju përkushtuar profesionit më fisnik në botë.
Sapo ka ardhur në jetë një vajzë në maternitetin e Vlorës! Mirëserdhe qytetarja më e re e qytetit tonë të bukur!