Pas protestave të disa Shoqatave të Transportit Publik lidhur me nisjen e punës së tyre si dhe kushtet që ata kërkojnë t’u plotësohen, ka reaguar edhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Duke se po zhvillohet një ‘Ping Pong’ mes tyre, pasi kur qeveria lejoi nisjen e punës së Transportit Publik, këta të fundit nuk pranuan dhe dolën në protestë.
Tani që ata kërkojnë të nisin punën, Komiteti Teknik ka vendosur që të shtyhet edhe me një javë, pasi duke u nisur nga shtimi i rasteve të reja me covid-19, rinisja e punës së Transportit Publik, shihet si një hap me risk të lartë. Njoftimi bëhet me dije nga vetë Ministria përmes një deklarate për mediat.
Ministria e infrastrukturës dhe energjisë
Tiranë, 17.06.2020
Deklaratë për media
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është njohur me deklaratat konfuze të bëra nga përfaqësuesit e disa kompanive të transportit publik. Një javë më parë, kur Qeveria vendosi rinisjen e transportit publik, këta përfaqësues deklaruan se nuk do të nisnin punën në shenjë proteste, ndërsa sot ata kanë dalë me një kërkesë tjetër, për hapjen e transportit dhe nisjen e punës.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dëshiron të sqarojë opinionin publik se, në kushtet e situatës së emergjencës shëndetësore në vend, hapja e transportit publik nuk është në tagrin as të MIE dhe aq më pak të kompanive të transportit, por vetëm të Komitetit Teknik të Ekspertëve, pasi Qeveria Shqiptare vlerëson se jeta dhe shëndeti i qytetarëve vlen më shumë se çdo interes tjetër.
Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur shtyrjen me një javë të hapjes së Transportit Publik, si një shërbim me risk të lartë në këtë situatë epidemiologjike, nisur nga shtimi i rasteve të të prekurve me COVID-19.
Në funksion të mbështetjes së sektorit të transportit publik, ashtu sikurse është vepruar edhe me sektorët e tjerë të prekur nga masat parandaluese të COVID-19, Qeveria Shqiptare ka marrë tashmë vendime mjaft të rëndësishme si:
Njohja si shpenzim i zbritshëm të 100% të konsumit të naftës, nga 43% që ishte deri më sot, me një efekt prej rreth 7 milionë dollarësh në buxhetin e shtetit;
Heqja e të gjitha taksave dhe tarifave vendore për subjektet e transportit publik, deri në 31 dhjetor 2020.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë vazhdon përpjekjet e saj për të gjetur forma dhe mundësi për mbështetjen e sektorit të transportit publik dhe çdo nismë e re do të bëhet publike në momentin më të parë të mundshëm.
Nga ana tjetër MIE shpreh gadishmërinë e plotë për të mbështetur nisjen e veprimtarisë së transportit publik, menjëherë sapo të gjykohet e mundur nga ana e Komitetit Teknik të Ekspertëve dhe ju bën thirrje përfaqësuesve të kompanive të Transportit Publik, të distancohen nga disa individë në radhët e tyre, të cilët ditët e fundit kanë ushtruar dhunë dhe presion deri edhe ndaj përfaqësuesve të shoqatave të Transportit Publik.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është duke përgatitur një reformë të thellë strukturore në sektorin e Transportit Publik, e cila synon nga njëra anë të formalizojë plotësisht këtë sektor dhe nga ana tjetër të rrisë cilësinë e shërbimit për qytetarët. Kjo reformë do të prezantohet në fund të muajit shtator të këtij viti dhe do të nisë nga implementimi në janar të vitit 2021.