Nga numri i pasagjerëve deri tek heqja e fatorinos, rregullat e reja të transportit urban

797
0

Kryeministri Rama lajmëroi ditën e diel se në fund të muajit do të paraqitet strategjia e re e transportit publik. Hapja e tij do të bëhet pjesë-pjesë duke garantuar shëndetin dhe duke rritur cilësinë e këtij shërbimi.

Nderkohe kreu i Shoqatës Kombëtare të Transportit Urban, Rixhin Qoshja ka njoftuar për “Abc News” se po bëhen disa përshtatje bazuar në modelet europiane rreth transportit të pasagjerëve.

Ai ka treguar se me rregullat e reja nuk mund të qarkullojnë më shumë se 25% e qytetarëve në një mjet. Pasagjerët duhet të përdorin detyrimisht maska dhe doreza. Përsa i përket fatorinove, Qoshja tha se po shihet mundësia që të mos ketë dhe të gjendet një mënyrë alternative.

“Jemi duke bërë disa adaptime bazuar në modelet që janë bërë në Europë për të kuptuar kapacitetin e pasagjerëve që mund të transportojmë. Jemi ende ne pritje të protokollit final.

Me rregullat e reja që do aplikojmë, s’mund të qarkullojnë më shumë se 25% e qytetarëve në një mjet duke ruajtur distancën e sigurisë. Për ne si operatorë është problem për sa kohë nuk kemi një mbështetje financiare, pasi me 25% te kapacitetit është e pamundur.

Përderisa autobusi është ambient i mbyllur do të jenë të njëjta kushte që përdoren sot në ambientet e mbyllura. Në lidhje me fatorinon, ky është problem sepse s’mund të respektojmë distancën e sigurisë me fatorinon. Kjo mbetet për t’u zgjidhur nga autoritetet përkatëse”, tha Qoshja.