Shkenctarja shqiptare në Harvard, Detina Zalli, ka treguar lajmin shpresëdhënës, në një kohë kur e gjithë bota po lufton me pandeminë COVID-19.
Zalli, në një reagim në Facebook shkruan se grupi i shkencëtarëve të Oxfordit kanë konstatuar se vaksina e tyre kundër pandemisë ka dhënë efekt pozitiv tek majmunët rezus të infektuar me SARS-CoV-2, të cilët janë 93% identik me njeriun.
Reagimi i Detina Zallit:
Lajme të mira nga Grupi i Oxfordit
• Vaksina e grupit të Oxfordit funksionon në majmunë rezus që janë 93% identik gjenetikisht me njerëzit.
• Kafshëve të cilave iu ishte dhënë vaksina, dhe më pas ishin të ekspozuara me SARS-CoV-2, kishin më pak virus në mushkëritë dhe rrugët e tyre ajrore. Kjo është krahasuar me grupin e kontrollit të majmunëve të cilit nuk iu dha vaksina.
• Provat klinike u zhvilluan në SH.B.A., duke përfshirë studiues nga Instituti Kombëtar i Shëndetit të qeverisë amerikane (NIH) dhe nga Universiteti i Oksfordit.
Detina Zalli është prej gjashtë vitesh shkencëtare në fushën e Biologjisë Molekulare. Në vitin 2014 u pranua në Universitetin e Harvardit, duke u bërë postdoktorante dhe pedagoge e këtij institucioni arsimor prestigjioz.
Edhe motra binjake e Detinës ka ndjekur fushën e shkencës. Argita Zalli është shkencëtare në fushën e Imunologjisë dhe operon në Londër.