Donald Trump ndalon përkohësisht imigracionin, pezullohet dhënia e “green card” dhe vizave të punës

695
0

Presidenti Trump thotë se ai do të ndalojë përkohësisht imigracionin për shkak të koronavirusit.

Me anë të një komenti në Twitter, presidenti e quajti shpërthimin e koronavirusit “sulm nga një armik i padukshëm”, dhe përmendi “nevojën për të mbrojtur vendet e punës të qytetarëve amerikanë”.

Donald Trump pritet të njëoftojë sot masat për ndalimin e përkohshëm të dhënies së “green card”, çka do të lë jashtë amerikës dhjetra-mijëra njerëz, por gjithashtu pa mbështetur edhe planin për ndalimin e programeve për vizat e punës.

Donald Trump nuk dha detaje, por tha se kjo masë do të merret përmes një urdhri ekzekutiv.

Vendimi u përcoll menjëherë me kritika nga disa demokratë, të cilët e cilësuan njoftimin e fundit si përpjekje për të larguar vëmendjen nga situata. Ata e akuzojnë administratën për reagim të ngadaltë dhe të mangët ndaj koronavirusit.

Imigracioni në SHBA është pezulluar në pjesën dërrmuese falë kufizimeve të lëvizjes në kufi, të cilat u vunë në zbatim në përgjigje të përhapjes së epidemisë.

Në muajin mars, administrata Trump mbylli kufijtë me Meksikën dhe Kanadanë për udhëtimet jo thelbësore, si dhe ndaloi hyrjen e çdo shtetasi të huaj që në 14 ditët e kaluara ka qenë në Kinë, Iran apo vendet e Shengenit.

Misionet diplomatike amerikane kanë vazhduar të japin viza për raste emergjente, në varësi të mundësisë së personelit që është nën urdhra të izolimit social. Një zyrtar i Departamentit të Shtetit tha në mars se SHBA janë të gatshëm të punojnë me personat që kanë marrë miratim si të kualifikuar për një vizë të caktuar, përfshirë viza për specialistë të shëndetësisë.

Administrata Trump njoftoi kohët e fundit zbutjen e rregulloreve për punonjës të bujqësisë, të cilët vijnë në SHBA me vizën H2A për të ndihmuar në sezonin e mbjelljeve apo në periudha të tjera të ngarkuara për këtë sektor.

Kufizimi i imigracionit ka qenë përparësi kryesore e zotit Trump, i cili është kritikuar se fillimisht nuk i kushtoi rendësi koronavirusit.

Analistë nga institute Cato, që beson në reduktimin maksimal të rolit të qeverisë në shoqëri dhe ekonomi, thanë në një blog se presidenti gëzon autoritetin për të kufizuar imigracionin për të mbrojtur shëndetin publik.

Departamenti amerikan i Shtetit përllogarit se gjatë vitit fiskal 2019 u miratuan rreth 462 mijë viza imigracioni dhe 577 mijë vetë fituan statusin e rezidentit të përhershëm.

Deri tani Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të lartë të rasteve të koronavirusit në botë, me mbi 804 mijë infektime të konfirmuara dhe mbi 43 mijë të vdekur, sipas universitetit Johns Hopkins.

Ndërkohë ekspertë të shëndetit publik paralajmërojnë se veprime të tjera që po ndërmarrin vetë amerikanët mund të ndikojnë në përhapjen e mëtejshme të epidemisë.

Eksperti kryesor amerikan i sëmundjeve infektive Anthony Fauci paralajmëroi protestuesit që kanë mbushur rrugët në shumë qytete duke kërkuar rihapjen e ekonomisë, pa përfillur urdhrat e guvernatorëve për të qendruar në shtëpi, duke thënë se vendi nuk do të rimëkëmbet dot ekonomikisht pa u vënë nën kontroll koronavirusi. Në disa shtete amerikane ditët e fundit ka patur protesta në rrugë kundër guvernatorëve të këtyre shteteve.

Demonstruesit kërkojnë një lehtësim të kufizimeve që kanë mbyllur bizneset dhe kanë çuar në pushimin nga puna të 22 milion njerëzve. Administrata Trump thotë se disa pjesë të vendit janë gati të fillojnë një kthim gradual në normalitet. /Zeri i Amerikës