Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë, Silva Bino, është shprehur sot se shifrat zyrtare të shtetit janë të vërteta dhe nuk gënjehet kurrë për to. Bino në një lidhje direkte me emisionin “Open”, sugjeroi qytetarët që mbajnë maska kur dalin nga shtëpia, pasi virusi qëndron për disa kohë dhe në ajër. Po ashtu ajo tha se qëllimi i masave shtrënguese, është që kurba të mos ngjitet me pikë shumë të lartë, por të jetë e sheshtë e të mos rëndohet sistemi shëndetësor.
“Sëmundja do qarkullojë e për këtë arsye duhet të jemi të përgatitur në çdo moment që shumë elementë të këtyre masave që e quajmë distancim social, unë do e quaja distancim fizik, të zbatohen, se kemi qenë shumë të lidhur.
Sipas studimeve kemi përqendrim të virusit në ajër, ndaj rekomandohen edhe ndryshimet e reja, çdo gjë adaptohet me të dhënat e reja, mund të mos kesh nevojë për maskë profesionale, por një maskë që të mbron, edhe një maskë kirurgjikale apo që bëhet me shtresat e duhura prej beze apo nape, apo cope mund të përdoret fare mirë”, tha ndër të tjera Bino.