Shpëtoi shokun e tij grek, humb jetën në Olimp 26-vjeçari shqiptar

817
0

Shërbimi i zjarrfikësve të Greqisë ka publikuar një video nga operacioni i shpëtimit të dy alpinistëve të aksidentuar në malin e Olimpit, një prej të cilëve, 26-vjeçari nga Shqipëria ka humbur jetën.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës, kur Ilia Dhimitri, me origjinë nga qyteti i Korçës, i cili e kishte bërë edhe herë tjetër këtë ngjitje, bashkë me një student grek 25-vjeçar janë përpjekur të ngjiten në Olimp, pranë bujtinës së gurtë që mban emrin e politikanit grek “Spiliso Agapitos”, në një lartësi mbi 2.100 metra.

“Por një çast, për shkak të borës së ngrirë, shoku i vet ka rrëshkitur dhe në përpjekje për ta ndihmuar atë ka rrëshkitur edhe Ilia, duke rënë në një humnerë prej 200 metrash”, ka deklaruar shefi i shërbimit zjarrfikës të qytetit të Katerinës.

Ndërsa shoku i vet, që ka shpëtuar pasi është mbajtur nga një degë peme, ka zbritur i plagosur në humnerë dhe ka pritur pranë trupit të Ilias për shumë orë, derisa kanë mbërritur ekipet e shpëtimit dhe e kanë marrë. Tashmë ai mjekohet në spital në gjendje shoku nga ngjarja tragjike.

Ilia, që kishte pasion alpinizmin, dhe miku i tij studionin në një shkollë private për turizëm në Selanik. Olimpi, ose ndryshe mali i Zotave sipas mitologjisë greke, që vizitohet çdo vit nga mbi 18 mijë vetë, sidomos alpinistë të huaj, është i njohur për rrezikshmërinë e tij. Prej vitit 1960, të paktën 60 persona kanë gjetur vdekjen gjatë ngjitjeve në 52 majat e tij.

Top Channel