Shkollat mbyllen për dy javë pas mbërritjes së dy rasteve të para me koronavirus në Shqipëri.
Ndërkohë fluturimet me veriue e Italisë, do të ndërpriten deri në 3 prill, për shkak se kjo pjesë e shtetit fqinj, është cilësuar si “zonë e kuqe”.
Këto masa u prezantuan nga Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë mëngjesin e sotëm.
“Masat e sotme vijnë në ndjekje të protokollit të përcaktuar nga OBSH. Mbyllja e institucioneve arsimore për një periudhë dy javore, dhe pastaj vlerësimi në proces. Gjithashtu pezullimi i fluturimeve e Italinë e veriut deri në 3 prill. Nga të gjitha statistikat e nxjerra deri më tani pjesa më pak e kërcënuar është e të rinjve, por nga ana tjetër duhet kuptuar se të rinjtë, fëmijët, të cilët për shkak të faktit që duhet të shkojnë në shkollë apo kopsht dhe mblidhen së bashku mund ta transmetojnë virusin tek të tjerët, edhe pse tek ata vetë virusi nuk shfaqet kërcënues në rrezikshmëri për jetën”, u shpreh Rama.
Ai sqaroi se është momenti të mbyllen të gjitha institucionet arsimore dhe të kërkohet anulimi i të gjitha grumbullimeve masive, kulturore, sportive, dëgjesave publike, deri në datën 3 prill, për ta parë dinamikën e këtij zhvillimi dhe pastaj për të vendosur për më tutje.
Po ashtu kreu i qeverisë kërkoi që gjithë ata që vijnë nga “zonat e kuqe” të vetëkarantinohen për 14 ditë dhe ata që ndodhen prej tyre të përdorin ndonjë filtër mbrojtës.
Kryeministri kërkoi që ata që kanë të afërmit e prekur me koronavirus, të shmangin vizitat në spital.
Rama bëri me dije se në dispozicion të situatës së emergjencës është vendosur edhe një fond tjetër prej 400 milionë lekësh, sipas kërkesave të Ministrisë së Shëndetësisë.