Arrestohet Henri Çili, ja për çfarë akuzohet

1107
0

Botuesi dhe analisti Henri Çili mesohet se u arrestua në orët e para të mëngjesit të sotëm për llogari të policisë së Gjirokastrës.

Ai akuzohet për korrupsion te organet e drejtësisë. News24 shprehet se  bashkë me Çilin janë arrestuar dhe 7 persona të tjerë, mes tyre dhe një avokat, të cilët dyshohet se janë transferuar nën forca të shumta policore drejt Gjirokastrës.

Hetimi për veprën penale që akuzohet Çili ka filluar që në shtator 2019 dhe botuesi është kapur në përgjimet e prokurorisë.

Urdhër arrestet janë lëshuar nga prokuroria e Përmetit me akuzën për ndikim të paligjshëm ndaj një gjyqtari për lirimin e një personit të dënuari.

Nga prokuroria janë bërë muaj të tërë hetime e vëzhgime. 7 urdhër-arreste janë ekzekutuar në Tiranë e Përmet.

Ndërkohë, janë shoqëruar dhe persona të tjerë që mund të kenë dijeni për ngjarjen si dhe janë bërë dhe kontrolle banesash.

Po kështu, është ushtruar kontroll dhe në universitetin që drejtohet nga Çili, Universiteti Europian i Tiranës, për të gjetur personin në fjalë, i cili më pas është lokalizuar në banesën e tij, ku dhe i është bërë i ditur urdhri i arrestit.

Fillimisht është bërë shoqërimi i tij në policinë e Tiranës dhe më pas është dërguar në policinë e Gjirokastrës. Procedimi ka nisur që në shtator të vitit të kaluar, për akuza si ushtrim i paligjshëm i ndikimit te organet e drejtësisë, mashtrim, falsifikim, pastrim parash.