Te marrim mësim nga Italia sa nuk eshte vone, 3 arsyet pse u perhap me shpejtesi

4225
0

Numri i shtetasve italianë që te prekur me koronavirus rritet nga ora në orë dhe tashmë Italia është vendi i tretë më i prekur nga virusi i Wuhanit, fill pas Kinës dhe Koresë së Jugut.

Kjo ka bërë që shumë italianë dhe joitalianë të ngrenë pyetjen, përse? Çfarë shkoi gabim në sistemin shëndetësor dhe në sistemin e parandalimit të përhapjes së sëmundjeve infektive në Itali? Ku çaluan hallkat?

Ekspertët italianë japin tre arsye. Arsyeja e parë është se autoritetet italiane u vunë në kërkim të personave të infektuar që mund të hynin në vend, duke përqëndruar energjitë tek kryerja e testimeve sasiore, por jo cilësore. Këtë e provojnë shifrat. Franca kryen 300 testime për koronavirus në ditë, ndërsa Italia mbi 3 mijë. Por, dallimi është se në Francë janë marrë masat e izolimit për personat që hyjnë në vend nga zonat e nxehta të virusit dhe testimet përqëndrohen tek ky grup. Italia nuk i ka diferencuar.

Analizat në masë, thonë ekspertët italianë, kanë mbingarkuar sistemin e shëndetësisë dhe efekti i vetëm që kanë prodhuar ka qenë përhapja e panikut në popullatë, pasi shpesh ka patur testime që kanë rezultuar fillimisht pozitivë me koronavirus, por që pas testimeve të tjera kanë dalë negativë.

Walter Riçiardi, ekspert italian i emëruar ditën e hënë nga ministri i Shëndetësisë, Roberto Speranza si këshilltar për marrëdhëniet e Italisë me organizmat ndërkombëtare thotë se italianët po paguajnë faktin që mbyllën rrugët direkte me Kinën, por pa penguar udhëtarët që vinin nga Kina përmes një vendi tjetër tranzit, madje pa i kontrolluar fare.

Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe nuk e bënë këtë gabim. Ato ndoqën me përpikmëri udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë duke mos bllokuar fluturimet direkte nga Kina. Kjo, thotë Riçiardi, u dha mundësi që të gjurmojnë dhe vendosin në karantinë subjektet e dyshuara, pa i dërguar nëpër spitale, ku virusi përhapet më shpejt.

Arsyeja e dytë që radhit “La Repubblica” përmes një analize të publikuar në versionin e saj online lidhet me autonominë e madhe që ka pushteti vendor sa i takon shëndetësisë dhe mungesën e koordinimit mes strukturave vendore me njëra-tjetrën, por edhe me pushtetin qendror. Analiza vë në dukje se disa vendime vendore janë hedhur poshtë më vonë nga vendimet e pushtetit qëndror, duke treguar në rastin më të mirë mungesë serioziteti dhe në rastin më të keq mungesë profesionalizmi dhe luftë politike mes zonave që kontrollohen nga “Lega Nord” dhe qeverisë së “5 Yjeve” me Partinë Demokratike.

Arsyeja e tretë lidhet me rënien e virusit në një periudhë kur në zonën e Lompardisë dhe Venetos qarkullonte një virozë gripale dhe duke qenë se koronavirusi ka simptoma të njëjta me virozat e stinës, mjekët në një pjesë të mirë të rasteve mund të jenë ngatërruar. Për këtë arsye, autoritetet italiane thonë sot se e kanë të pamundur që të zbulojnë me saktësi si kohën, ashtu edhe pacientin e parë që importoi virusin në Itali.

A mund të shmangej? Ekspertët italianë thonë se mund të provohej, nëse do të ndiqeshin me përpikmëri të gjitha udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në të gjithë vendi. Ata shprehen të sigurtë se nëse do të ndiqeshin këto masa, shkalla e infektimit nuk do të ishte kaq e lartë, por do të krahasohej me rastet në Francë, Gjermani e Britaninë e Madhe.