“Ju lutem kthehuni”! 3000 euro rrogë për të rinjtë që rikthehen në atdhe, skema e fundit e qeverisë së shtetit fqinj

5516
0

“Ju lutem kthehuni”! Ky është mesazhi për të rinjtë e talentuar nga Greqia që u larguan nga vendi gjatë krizës financiare.

Qeveria greke, për t’i inkurajuar të kthehen në atdhe, ka filluar një skemë  subvencioni që u ofron 500 të rinjve një pagë mujore prej 3,000 euro nëse kthehen në Greqi. Ministria e Punës do të mbulojë 70 për qind të kostos.

“Kjo është përpjekja e parë e shtetit grek për një rikthim gradual të të rinjve,” tha Konstantinos Agrapidas, një zyrtar i lartë në Ministrinë e Punës që po mbikëqyr programin.  Skema filloi në prillin e kaluar si një mënyrë për të frenuar ikjen e trurit.

“Ndërkohë që Greqia del nga kriza dhe tani po hyn në udhën e rindërtimit ekonomik dhe shoqëror, ajo po rimerr mjetet dhe fuqinë për të krijuar një mjedis të përshtatshëm për kthimin e diasporës greke, i cili kërkoi punë dhe perspektivën e një jete më të mirë jashtë vendit gjatë krizës, ” tha Ministri Grek i Punës Yiannis Vroutsis, ndërsa prezantoi programin.

Rreth 500,000 qytetarë u zhvendosën jashtë vendit gjatë krizës financiare, gjatë së cilës papunësia arriti në 28 për qind. Shifrat e papunësisë janë përmirësuar që atëherë, por prapë janë më shumë se dyfishi i mesatares së Bashkimit Europian.

Ikja e trurit është rreziku i madh i ekonomisë greke. Deri në vitin 2050, popullsia e Greqisë pritet të zvogëlohet me 2.5 milion njerëz dhe një në tre banorë do të jetë mbi moshën 65 vjeç, sipas një studimi të një instituti kërkimi dhe politikash.

Përgjigja e qeverisë ishte të ofrojë një bonus financiar prej 2,000 eurosh për çdo lindje.

“Ikja e trurit është një çështje serioze për tregun e punës”, thotë Guy Krief, anëtar i bordit të kompanisë së teknologjisë celulare Upstream

Greqia ka përjetuar emigrim masiv edhe më përpara, përfshirë edhe dekadat pas Luftës së Dytë Botërore, por ndryshimi këtë herë është se janë grekët me nivelet më të larta arsimore ata që po emigrojnë. Më shumë se 90 për qind e atyre që u larguan ishin të diplomuar në kolegj, dhe 64 për qind kishin një diplomë pasuniversitare.

Kapitali njerëzor është eksporti numër një i Greqisë, sipas një raporti të “Endeavour”, një organizatë globale jofitimprurëse. Ajo thotë se ikja e trurit gjeneron, çdo vit 9,1 miliardë euro taksa për vendet në të cilat shkojnë të jetojnë grekët ndërsa vetë Greqia harxhoi 8 miliardë euro për të arsimuar këta njerëz.

Zina Maria Penteridou, një analiste e sistemeve të informacionit gjeografik, që jeton në Londër prej gati katër vjetësh, ishte entuziazmuar kur mësoi për programin e ri. Ajo tha se nuk dëshironte të largohej nga Greqia por kur mbaroi studimet kriza ishte në kulmin e saj dhe prindërit e saj e shtynë të shkonte jashtë shtetit.

“Jam e vetëdijshme se kthimi në Greqi do të nënkuptojë një pagë më të ulët dhe standarde pune, por unë prapë do të dëshiroja të kthehesha, nëse do të kishte një mundësi të mirë. “

Ndërsa disa të tjerë mendojnë se kjo skemë është e padrejta për ata që qëndruan në Greqi pas krizës

“Duhet të merren parasysh ata që kanë qëndruar. Dhe ata u torturuan nga papunësia pavarësisht se ishin të aftë, por qëndruan”, shkruan gazeta greke “Panea”,

Por qeveria kundërshtoi një kritikë të tillë, duke theksuar se ky nuk është një program që synon uljen e papunësisë, por për të mbuluar nevojat e vendit me ekspertë që Greqisë i mungojnë.

Përkundër nivelit shumë të lartë të papunësisë, shumë biznese në Greqi, veçanërisht në sektorin e teknologjisë, thonë se luftojnë të gjejnë punonjës me aftësi të duhura.

Guy Krief, një anëtar i bordit të Upstream tha se ai është duke luftuar për të joshur inxhinierët, pasi ata që janë të kualifikuar  lëviznin jashtë vendit sapo përfundonin studimet, dhe nuk kishin dëshirë të punonin në Greqi.