Një lëkundje tërmeti goditi Iranin ditën e sotme, në një zonë ku ndodhet edhe centrali i parë bërthamor i vendit.
Lëkundjet me magnitudë 5,1 u ndjenë pak pas orës 5:00 të mëngjesit, rreth 44 kilometra në juglindje të qytetit Borazjan në provincën Bushehr, me një thellësi prej 38,3 kilometrash, sipas Qendrës Gjeologjike të Shteteve të Bashkuara.
I ngritur në gusht 2010, centrali i Bushehr ishte i pari i këtij lloji në Lindjen e Mesme. Deri tani nuk ka asnjë raportim për dëme në central.
Aktiviteti sizmik është i shpeshtë në Iran, pasi vendi ndodhet pranë vijës ndarëse mes pllakave tektonike të Arabisë dhe Euroazisë. Si pasojë, në të shkuarën vendi është goditur vazhdimisht nga tërmetet.
I fundit, në nëntor, me magnitudë 5,9, i mori jetën pesë personave, ndërsa 330 të tjerë mbetën të plagosur. Ndërsa vitin e kaluar, një tjetër tërmet në kufirin me Irakun shkaktoi 361 viktima.
Tërmeti më shkatërrimtar ka goditur vendin në vitin 2003, kur lëkundjet me magnitudë 6,6 goditën qytetin juglindor Bam, ku vdiqën rreth 26000 persona.