Fshati zviceran që ofron 70 mijë franga për të jetuar atje

1132
0

25 mijë franga për të rritur dhe 10 mijë për fëmijë, që do të thotë 70 mijë franga për një familje katër anëtarëshe

Banorët e Albinen, një fshat i vogël zviceran pranë Leukerbad në kantonin e Valais, do të votojnë më 30 nëntor, mbi një politikë të re, e cila do të ofronte para për të huajt, që janë të gatshëm të vijnë dhe të jetojnë në fshat për të paktën një dekadë, shkruan “The Local”.

Fshati i vogël me vetëm 240 banorë, është një nga të shumtit në Zvicër, që ka përjetuar një eksod shqetësues të banorëve të përhershëm në vitet e fundit, përcjell albinfo.ch.

Pse ka shumë shtëpi pushimi në fshatin piktoresk, banorët e përhershëm, sidomos familjet e reja, po zgjedhin të largohen.

Tre familje kanë lënë fshatin vetëm në vitin e fundit, duke përfshirë tetë fëmijë, që do të thotë se shkolla e fshatit ishte e detyruar të mbyllet, ka thënë presidenti i komunës Beat Jost për “ATS”.

Si rezultat, banorët lokalë kanë kërkuar që këshilli të bëjë diçka në lidhje me këtë çështje.

Plani i tyre është që familjet ose individët nga vende tjera që vendosin të blejnë ose ndërtojnë një shtëpi në Albinen do të kualifikoheshin sipas kushteve të caktuara, për një grant me 25 mijë franga për të rritur dhe 10 mijë franga për fëmijë.

Kjo do të thoshte 70 mijë franga për një familje prej katër vetash, përcjell albinfo.ch.

Megjithatë, ka disa kushte.

Për të qenë i përshtatshëm duhet të jeni nën moshën 45-vjeç dhe duhet të bini dakord që të jetoni në fshat për të paktën 10 vjet. Prona që duhet të blihet ose të ndërtohet duhet të ketë një vlerë minimale prej 200 mijë frangash, dhe duhet të jetë një shtëpi e përhershme, jo vendbanim i dytë.

Paratë nuk duhet të kthehen nëse jetojnë atje për dhjetë vitet e ardhshme.

Fshati është mjaft i bukur, në lartësinë mbidetare prej 1300 metrave me pamje nga lugina Rhône, me ajër të pastër malor dhe një pamje të diellit.

Nuk ka shumë punë, por qytetet Visp dhe Sion janë vetëm gjysmë ore larg.