Në emisionin “Diaspora” ishte i ftuar Berat Haskaj, i cili prej 10 vitesh jeton në Zyrih.
Ai vendosi të emigrojë në Zvicër për të ndjekur ëndrrën e tij në kërcimin modern, por edhe për arsye ekonomike që nuk i’a mundësonte dot vendlindja e tij.
Pas luftës në Kosovë ai krijoi grupin e tij të kërcimit, një nga grupet që ka marrë pjesë në shumë evenimente brenda dhe jashtë Kosovës. Berati ka rrëfyer një nga zhgënjimet e tij më të mëdha në vitin 2006, ku ai do të përfaqësonte vendin në një kompeticion në USA dhe nuk arriti dot të siguronte buxhetin prej 3000 eurosh nga sponsorët dhe ministria e kulturës.
Viza i’u anulua nga ambasada amerikane pasi ai nuk u paraqit në takim, dhe automatikisht humbi pjesëmarrjen në USA. Kjo është edhe një nga zhgënjimet e tij më të mëdha, pasi atë ditë ai pësoi dhe një aksident me automjetin e tij që mund të ishte dhe me pasoja fatale për jetën e tij.
Në fund të vitit 2008 ai vendosi të emigrojë në Zvicër, duke ndjekur dhe hapat e babait të tij, i cili kishte emigruar vite më parë. Në 2 vitet e para ai punoi në një restorant në Zyrih, dhe aty nisi të mësojë gjuhën gjermane. Ai jeton aktualisht me familjen e tij në Zvicër, është i martuar me një shqiptare, si dhe punon një kompani automjetesh.
Pasdite merret me pasionet e tij, kërcimin dhe këngën.
I pyetur nëse ka menduar të rikthehet në Kosovë pas disa vitesh ai përgjigjet : “Nëse do të ishit në lëkurën time, Zvicra është vendi më i sigurt dhe më i qetë në botë nuk do e lija kurrë”. /Top Channel/