Gazetarja e DW: Kushti i pestë, vështirë se plotësohet nga Shqipëria

1223
0

Gazetarja e Deutsche Welle, Anila Shuka ka bërë një analizë për 9 kushtet që Gjermania vendosi për hapjen e negociatave për Shqipërinë. Shuka sqaroi se kushti më i vështirë për tu plotësuar është miratimi dhe implementimi i Reformës Zgjedhore.

“Dy kushtet e para mendohet se do të plotësohen nga fillimi i vitit të ardhshëm, pra është një ‘Po’ e CDU/CSU-së. Megjithatë, derisa të hapet kapitulli i parë duhen plotësuar edhe shtatë kushte të tjera. Unë mund të them se implementimi i Reformës Zgjedhore mund të paraqesë vështirësi më të mëdha, duke njohur dhe historinë e Shqipërisë. Bundestagu kërkon shprehimisht bashkëpunimin e të gjitha forcave partiake”, deklaroi Shuka, e cila shtoi se Bundestagu nuk do të ndërhyjë më derisa të jenë plotësuar të nëntë kushtet.

“Me këtë rezolutë, Bundestagu ia kaloi kompetencat Brukselit, prandaj them se është një ‘Po’. Pra, Bundestagu vertete do të informohel normalisht dhe nuk ka për të ndërhyrë më deri në kapitullin e fundit të negociatave. CDU/CSU e kanë miratuar. Një element pozitiv është se edhe Partia e të Gjelbërve e ka miratuar këtë kërkesë”, pohoi Shuka.

Tani, do të shihet se cili do të jetë qëndrimi i shteteve të tjera skeptike, si: Franca, Holanda apo Danimarka. Gjasat janë që edhe ato ti bashkohen vendimit gjerman.

Këto janë 9 kushtet që Gjermania vendosi për Shqipërinë:

  • Ndërtimi dhe nisja nga puna e SPAK;
  • Ndërtimi dhe nisja nga puna e Gjykatës Kushtetuese;
  • Plotësimi i vendeve vakant në Gjykatën e Lartë;
  • Nisja e proceseve penale ndaj gjykatësve dhe prokurorëve të rrëzuar nga Vettingu;
  • Reforma zgjedhore dhe zbatimi i saj;
  • Dënimi i personave të përfshirë në vjedhjen e votave;
  • Bilance të suksesshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit;
  • Reforma në administratë;
  • Të sqarohet legjitimiteti i zgjedhjeve lokale;